Fjalor Ushtarak – Military Dictionary

Fjalor Ushtarak

OBJEKTIV
Vendi a pika ku drejtohen veprimet luftarake
për të goditur kundërshtarin. Objektiv tokësor (detar,
ajror). Objektiv i lëvizshëm (i palëvizshëm). Objektivi i
sulmit (i bombardimit). E goditën objektivin me predhën e parë.

OBUS
Armë e rëndë artilerie, me grykë të gjerë (më të
shkurtër se të topit dhe më të gjatë se të mortajës), që i
hedh predhat në vijë të lakuar. Bateri obusësh. Predhë
obusi. Bëjnë qitje me obus.

OFENSIVË
Lloj i luftimit mësymës që bëhet nga njësitë e
mëdha luftarake në një hapësirë të gjerë dhe që
zhvillohet me disa beteja; mësymje. Ofensivë ushtarake.
Ofensivë e përgjithshme (e madhe). Nisën (filluan)
ofensivën. Kaluan në ofensivë.

OFICER
1. Kuadër ushtarak a politik që kryen detyra të
ndryshme drejtuese në komandat dhe në shtabet e
forcave të armatosura tokësore, detare e ajrore (në
ushtritë që nuk kanë grada). Oficer rezervist. Oficer i
shërbimit aktiv. Oficer i Ushtrisë Popullore. Oficer
shtabi. Oficer marine. Oficer i Policisë Popullore.
Oficeri i rojës. Shkolla e oficerëve. U bë oficer.
2. Secila prej gradave nga nëntogeri e lart; ushtaraku
që mban gradën nëntoger e lart (në ushtritë që kanë grada).

OPERACION
Tërësia e veprimeve luftarake, të organizuara
sipas një ideje të vetme nga njësitë e mëdha për të
zgjidhur zakonisht detyra të caktuara operative e
strategjike. Operacion ushtarak (strategjik, i
rëndësishëm, mësymës). Operacion ndëshkues
(ndëshkimor).Operacion spastrimi. Operacioni i Dimrit.
Operacioni i Qershorit. Ndërmorën (shpërthyen) një
operacion. Bënë një operacion.

OPERATIV
Që ka të bëjë me veprimet luftarake të njësive
të mëdha, që lidhet me operacionin ushtarak. Shtabi
operativ. Zona operative. Plani operativ. Komandë
operative. Lojë operative.

ORDINANCË
Ushtarak, që ishte caktuar me shërbim pranë një oficeri
më të lartë, pranë një komandanti a pranë një komande
për të kryer disa detyra ndihmëse. Ordinanca e
komandantit. Ordinanca e një oficeri madhor.
Ordinanca shtabit (e komandës).

ORIENTUES
Send i palëvizshëm që dallohet në mjedisin përreth dhe
shërben si shenjë për të përcaktuar vendin ku është
armiku ose nga lëvizin forcat luftarake. Orientues
tokësor.

Fjalor Ushtarak

Comments
All comments.
Comments