Fjalori i Historise – Fjalor Historik

Fjalor Historik
KADI
kadi

Zyrtar në kohën e sundimit osman, që kryente detyrën e gjykatësit dhe detyra të tjera civile e fetare; gjykatës, zakonisht hoxhë, që gjykonte çështje civile e fetare sipas sheriatit.

KAJMEKAM

Zëvendës i guvernatorit në një krahinë, mëkëmbës; zyrtari i parë që sundonte në një krahinë të caktuar (gjatë sundimit osman); nënprefekt.

KALA

Vend i rrethuar me mure të larta e të trasha dhe i pajisur me mjete luftarake për t’u mbrojtur për një kohë të gjatë; kështjellë. Kala ilire (mesjetare). Kalaja e Krujës. Porta e kalasë. Muret (kullat) e kalasë. E morën (e pushtuan) kalanë. Ra kalaja u dorëzua, u pushtua kalaja.

KALIF

Titull që mbante në disa vende myslimane kryesundimtari, i cili kishte në duart e veta pushtetin më të lartë politik e fetar dhe e quante veten pasardhës të Muhametit (në vendet arabe deri në shek. XIII dhe më vonë në Egjipt e në Turqi në kohën e sulltanëve). Kalifi i parë. Kalifi i Bagdadit. U bë kalif.

KALORËS

1. Luftëtar i stërvitur për luftim mbi kalë.

2. Titull që u jepej feudalëve oborrtarë; feudal që i

përkiste shtresës së aristokracisë ushtarake (në disa vende të Evropës).

KANIBAL

Njeri që ha mish njeriu, njeringrënës (në fazat me të ulëta të zhvillimit të shoqërisë).

KANIBALIZËM

Përdorimi si ushqim i mishit të njeriut nga njerëzit (në fazat më të ulëta të zhvillimit të shoqërisë).

KANOSJAR

1. Bekçi i fshehtë që caktohej nga pleqësia e fshatit ose nga kryeplaku për të ruajtur arat, vreshtat etj.

2. Ai që gjobiste fshatarin, i cili kishte dëmtuar vetë ose me bagëtitë e tij arën a mallin e dikujt.

KANUN

Përmbledhje ligjesh e normash të pashkruara, të trashëguara brez pas brezi, që pasqyrojnë gjendjen ekonomiko-shoqërore të periudhave të kaluara dhe që në kohën e vet mbronin interesat e klasave e të shtresave të caktuara shoqërore; tërësia e normave të së drejtës zakonore. Kanuni i Skënderbeut. Kanuni i Lek Dukagjinit.

KANUNIZOJ

E fut në kanun, e bëj ligj të pashkruar. Kanunizuan zakonin e ekzogamisë.

KAPEDAN

1. Kryetari i një çete a i një ushtrie; komandant trim.

2. Bajraktar.

KAPSOLLAQE

Pushkë e vjetër, e gjatë, që mbushej nga gryka dhe shkrehej me shkëndijat që dilnin nga kapsolla.

KARTAGJENAS

Që lidhet me Kartagjenën (qytet e shtet i lashtë në Afrikën e Veriut) ose me kartagjenasit, që ishte karakteristik për Kartagjenën ose për kartagjenasit, i Kartagjenës ose i kartagjenasve; që është krijuar nga kartagjenasit. Anije kartagjenase. Ushtria kartagjenase.

KATAKOMB

Galeri e nëndheshme me disa tunele të gjata, ku, në Romën e vjetër, të krishterët e kohëve të para fshiheshin, kryenin shërbesat fetare ose varrosnin të vdekurit. Katakombet e Romës.

KATAPULTË

Armë e vjetër që përdorej gjatë rrethimit të një kështjelle për të goditur ushtrinë armike me gurë të mëdhenj a me trarë të mprehur ose për të hedhur shigjeta me lëndë ndezëse (zift, katran etj.). Katapultë romake.

KATUND

Bashkësi e njerëzve, që merreshin kryesisht me blegtori e bënin një jetë shtegtare; vendbanimi i përkohshëm i këtyre njerëzve; fshat i madh, me shtëpi të shpërndara e larg njëra-tjetrës.

KATUNDAR

Ai që ishte në krye të katundit, udhëheqësi i katundit; çelnik.

KATUNDARI

1. Fshatarësi.

2. Bashki.

KAVALL

Pushkë e vjetër me një tytë, që mbushej nga gryka dhe shkrepej me gur stralli.

KËMISHË

Këmishë hekuri. veshje e sipërme prej metali, që mbanin kalorësit për t’u mbrojtur nga goditjet e shpatave ose të shtizave.

KËMISHËKUQ

Vullnetar në ushtrinë e Garibaldit, që luftonte për bashkimin e Italis ë(në shek. XIX).

KËSHTJELLAR

1. Feudali që ishte zot i një kështjelle.

2. Komandanti i luftëtarëve që mbronin një kështjellë; luftëtari që mbronte një kështjellë.

KËSHTJELLË

Vend i rrethuar me mure të larta e të trasha, i pajisur me sharapolle me bedena e me mjete të tjera për t`u mbrojtur për një kohë të gjatë nga sulmet e armiqve; vendbanimi i feudalëve, i fortifikuar dhe i mbrojtur mirë; banesë e fortifikuar feudale; kala. Kështjellë e vjetër (mesjetare). Kështjella e Krujës (e Gjirokastrës). Kështjellë me katër kulla. Muret (portat) e kështjellës. Ndërtoi kështjellën. U mbyll në kështjellë. U pushtua (ra) kështjella.

KLAN

1. Grup shoqëror i përbërë nga njerëz të një gjaku, që organizonte punën dhe jetën në mënyrë të veçuar nga të tjerët (në bashkësinë primitive).

2. Grup njerëzish të një gjaku; fis.

KMESËTAR

1. Punëtor që pret ferra ose bën gjeth për bagëtinë duke përdorur kmesën, ai që punon me kmesë.

2. Luftëtar që luftonte me kmesë (në ushtrinë e Skënderbeut).

KOÇOBASH

Kryeplaku i fshatit (në kohën e sundimit turk).

KOHORTË

Njësi ushtarake që ishte sa një e dhjeta e legjionit në Romën e lashtë; njësi ushtarake me 300-600 luftëtarë. Kohortat romake. Kohorta e Skënderbeut.

KOKËMBROJTËSE

Lloj helmete që e mbanin luftëtarët për të mbrojtur kokën e fytyrën.

KOLABORACIONIST

1. Ai që ka bashkëpunuar me pushtuesit fashistë e nazistë dhe ka tradhtuar Atdheun gjatë Luftës Nacionalçlirimtare.

2. Ai që bashkëpunon me pushtuesin dhe tradhton atdheun e vet; tradhtar.

KOLABORACIONIZËM

Bashkëpunim i tradhtarëve të Atdheut ose i përfaqësuesve të klasave sunduese me pushtuesit fashistë e nazistë gjatë Luftës Nacionalçlirimtare.

KOLON

Skllav i liruar a fshatar i lirë, që merrte me qira një copë tokë nga një pronar i madh dhe ishte i detyruar të paguante për këtë një taksë në natyrë e në të holla (në Romën e vjetër).

KOLONË

Kolona e pestë

a) grup kundërrevolucionar, i përbërë prej spiunësh, diversantësh, fashistësh dhe armiqsh të tjerë, që vepronin në prapavijën e Spanjës republikane gjatë viteve 1936-1939;

b) grup kundërrevolucionar, zakonisht i vënë nga zbulimi i huaj, që zhvillon veprimtari subversive antishtetërore në vende me regjim demokratik e popullor; grup kundërrevolucionar që zhvillon veprimtari përçarëse në gjirin e partive komuniste ose të një partie a organizate përparimtare.

KOLONI

Vend a qytet i populluar me kolonë pushtues (në kohën e Greqisë e të Romës së vjetër). Kolonitë greke. Koloni romake.

KOMIT

Kryengritës që dilte malit e luftonte për lirinë e atdheut dhe për drejtësi shoqërore kundër shtypësve e shfrytëzuesve. Çeta e komitëve. Doli komit.

KOMUNË

Njësi administrative lokale, që përfshin zakonisht disa fshatra ose një krahinë; organ shtetëror lokal i një njësie të tillë; ndërtesa ku është vendosur ky organ (në disa vende të tjera; në të kaluarën edhe në Shqipëri).

KOMUNIKATË

Fletë e shtypur, nxirrej rregullisht gjatë Luftës Nacionalçlirimtare, ku jepeshin njoftime për luftën e popullit tonë kundër pushtuesve fashistë e kundër tradhtarëve të vendit dhe për luftën antifashiste të popujve të tjerë.

KONSULL

Secili nga dy sunduesit e zgjedhur në Republikën e Romës së vjetër, që kishin në dorë pushtetin e lartë; titulli që i jepej secilit prej këtyre sunduesve.

KONSULLATË

Koha kur pushteti i lartë ishte në duart e dy konsujve (në Republikën e Romës së vjetër).

KONT

Titull aristokratësh më i lartë se ai i baronit dhe më i ulët se i markezit; ai që mbante këtë titull.

KONTESHË

E shoqja ose e bija e kontit.

KORDHË

Shpatë, që vjen pak e kthyer në majë dhe që pret vetëm nga njëra anë; këllëç.

KORDHËTAR

1. Ai që luftonte me kordhë.

2. Luftëtar i madh e i shquar; njeri revolucionar e i shquar në përpjekjet për liri, për drejtësi shoqërore e përparim. Kordhëtarët e Rilindjes.

KORPARMATË

Njësia më e madhe në Ushtrinë tonë nacionalçlirimtare.

KORPORATË

1. Bashkim zejtarësh a tregtarësh të një vendi ose krahine në një organizatë për të mbrojtur më mirë interesat e tyre, esnaf (në rendin feudal). Korporata e zejtarëve (e tregtarëve).

2. Organizatë e punonjësve të një profesioni për të mbrojtur interesat e tyre

3. Organe të krijuara nga regjimi fashist në Itali për t’u shërbyer monopoleve kapitaliste, duke u përpjekur të shuanin luftën e klasave e të siguronin pajtimin e bashkëpunimin ndërmjet sipërmarrësve e punëtorëve.

KOSHADHE

1. Patrullë.

2. Ushtar që bënte pjesë në repartet ndjekëse të ushtrisë në Perandorinë Osmane për të kapur hajdutët ose kryengritësit. Dërgoi koshadhe. E vrau koshadhja. E ndoqi me koshadhe.

KRAHINAR

Nëpunës i emëruar nga qeveria, që sundon në një njësi administrative; kryetar i komunës së një krahine. U emërua krahinar. Shkoi te krahinari.

KRAHINARI

Njësi administrative që përfshin zakonisht disa fshatra dhe që drejtohet nga një nëpunës i emëruar nga qeveria.

KRAHINË

Njësi territoriale-administrative brenda një shteti, e cila ka një kryeqendër; qark.

KRYEQINDËS

Komandant i një qindësheje në ushtrinë e Romës së lashtë, komandant i qindëshes.

KRYQËZATË

1. Fushata ushtarake me qëllime pushtuese, që bënin gjatë shekujve XI-XIII në Lindjen e Afërme etj. feudalët e Evropës Perëndimore, të nxitur nga kisha katolike gjoja për të shpëtuar vendet e shenjta ose krishterimin nga të pabesët. Kryqëzata e parë (e dytë…). Në kohën e kryqëzatave.

2. Fushatë e egër ushtarake a politike që ndërmerr një shtet agresiv kundër një shteti tjetër.

KRYQËZIM

Mënyrë e vjetër e dënimit me vdekje, duke e mbërthyer të dënuarin pas një druri me krahë hapur si në kryq.

KRYQËZOJ

E mbërthej dikë pas një druri me krahë hapur si në kryq (mënyrë e vjetër e dënimit me vdekje).

KUESTOR

1. Ruajtësi i thesarit të shtetit dhe administruesi i tij në Romën e vjetër; hetues e gjykatës për çështje penale.

2. Shef i policisë në qytetet e mëdha të Italisë, drejtues i kuesturës (gjatë pushtimit fashist italian edhe në Shqipëri).

KUJRI

Pyll, kullotë, tokë a vend tjetër që shfrytëzohej bashkërisht nga gjithë katundi.

KURORË

1. Kurorë dafine. kurorë me degë e gjethe dafine që u vinin në kokë zakonisht poetëve të shquar.

2. Rreth i metaltë, zakonisht i stolisur me ar e me gurë të çmuar, që mbanin (e që në disa vende mbajnë edhe sot) në kokë perandorët, mbretërit etj. si shenjë të pushtetit të tyre; pushteti, sundimi i monarkut; vetë mbreti a perandori; përmb. familja mbretërore. Kurora mbretërore. Kurora e perandorit (e mbretëreshës). Pasuritë e kurorës. Fjalimi i kurorës fjalimi i mbretit në parlament në disa vende borgjeze.

KURORËZIM

Ceremonia që bëhej për të kurorëzuar një mbret, një perandor etj. Kurorëzimi i mbretit.

KURORËZOJ

I vë kurorën një monarku a një sundimtari, e shpall mbret a sundimtar duke i vënë mbi kokë një kurorë, si simbol i pushtetit. Kurorëzoi mbretin.

Fjalor Historik

3 thoughts on “Fjalori i Historise – Fjalor Historik”

      1. Si emër,
        historiku është përmbledhja e ngjarjeve dhe
        i të dhënave që lidhen me zhvillimin e diçkaje.

        Si mbiemër:
        1. historik është diçka që i takon historisë,
        2. është diçka që është e vërtetë,
        3. është diçka e rëndësishtme që ja vlen të mbahet mend

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *