Fjalori i Historise – Fjalor Historik

Fjalor Historik

PADISHAH
padishah

Titull i sulltanit në Perandorinë Osmane dhe i sundimtarit absolut në disa vende të Lindjes; ai që mbante këtë titull.

PAFE

Që nuk beson në dogmën e fesë, që nuk pranon asnjë fe që hiqte dorë nga feja sunduese dhe që për këtë ndiqej nga përfaqësuesit e saj, heretik.

PAN

Çifligar i madh në Poloni dhe në disa vende të tjera sllave. Panët polakë. Pronat e panëve.

PANCIR

Parzmore.

PANEGJIRIK

Fjalim që mbante një gojëtar për të ngritur lart botërisht bëmat e një heroi a të një njeriu të shquar, për të lavdëruar një qytet etj. Panegjirik për heroin.

PANEGJIRIST

Ai që shkruante ose mbante një panegjirik. Panegjiristët e lashtë.

PANTEON

Tempull që grekët dhe romakët e vjetër u kushtonin të gjitha perëndive. Panteoni grek (romak)

PARAÇLIRIM

Periudha para 29 Nëntorit të vitit 1944, kur Shqipëria u çlirua përfundimisht nga pushtuesit e huaj dhe tradhtarët e vendit.

PARTIN

Pjesëtar i njërit nga fiset ilire, që banonte në brigjet e lumit të Matit.

PARTIZAN

1. Anëtar i një çete a njësie që lufton kundër pushtuesit të vendit ose kundër klasave shfrytëzuese me metodat e luftës popullore, zakonisht në prapavijat e armikut dhe jo në formacione të rregullta ushtarake. Partizanët palestinezë. Çetë partizanësh. Lufta e partizanëve.

2. Anëtar i çetave dhe i njësive të tjera që morën pjesë në luftën Antifashiste Nacionalçlirimtare të popullit shqiptar

PARZMAK

Parzmore.

PARZMORE

Veshje prej metali, e gjatë deri në brez, që mbronte luftëtarët në kohët e vjetra gjatë ndeshjeve me armë të ftohta. Parzmore çeliku. Veshi parzmoren. I shpoi parzmoren

PASHA

1. Titull që u jepej funksionarëve të lartë civilë e ushtarakë në perandorinë osmane; ai që mbante këtë titull; ai që mbante këtë titull edhe pa funksione zyrtare. Pashallarët e Turqisë.

2. Qeveritar civil e ushtarak në krye të një sanxhaku a të disa sanxhakëve në perandorinë osmane. Pashai i Janinës. I thyen ushtritë e pashallarëve.

PASHALLËK

1. Titulli i pashait; gradë, mbajtësi i së cilës kishte titullin pasha. Iu dha pashallëku.

2. Krahinë ose vend që qeverisej nga një pasha. Pashallëqet në Ballkan. Sistemi i pashallëqeve.

3. Formacion i madh shtetëror, i përbërë nga disa sanxhakë të sunduar nga një pasha i fuqishëm, i cili prirej të shkëputej nga pushteti qendror i sulltanit. Pashallëku i Shkodrës. Pashallëku i Janinës.

PASHTRAK

1. Kullotë brenda kufijve të një bajraku.

2. Taksë a gjobë që paguhej për shfrytëzimin e një kullote të huaj ose të një kullote të ndaluar; taksë kullote.

PASHTREF

Pashtrak.

PATËRSHANË

Heshtë, shtizë.

PATRIARK

Kryetar i fisit në shoqërinë e bashkësive primitive; kryetar i familjeve të mëdha të dikurshme, që nderohej më shumë se të gjithë dhe që kishte të drejta të plota mbi anëtarët e tjerë të fisit. Patriarkët e fiseve (e familjeve të mëdha). Pushteti i patriarkut.

PATRIARKALIZËM

Sundim i plotë dhe i padiskutueshëm i burrit a i kryefamiljarit në familje ose në marrëdhëniet shoqërore gjatë patriarkatit. Mbeturina të patriarkalizmit.

PATRIARKAT

Periudha e fundit e rendit shoqëror të komunës primitive pas matriarkatit, që karakterizohej nga sundimi i plotë i burrit në familje e në marrëdhëniet shoqërore.

PATRIC

Aristokrat në Romën e Vjetër

PENDAR

1. Ai që lëron tokën me qe, ai që nget pendët në arë.

2. Ai që ruan vreshtat e arat, rojë vreshtash, vreshtar, bekçi.

3. Çifçi.

PERS

1. Persian.

2. Banor vendas i Persisë ose ai që e kishte prejardhjen nga Persia.

PËRDREDHORE

Mjet lufte, me të cilin hidheshin gurë, shigjeta etj. (sidomos gjatë sulmit kundër kështjellave).

PËRKRENARE

Mbulojë koke prej metali, si helmetë, me trajta të ndryshme, që përdorej nga luftëtarët në kohët e lashta dhe në mesjetë për t’u mbrojtur nga goditjet e armëve të armikut. Përkrenare ilire (romake).

PINJALL

Armë e ftohtë si thikë e hollë, e mprehtë e me dy teha, shish.

PIRAMIDË

Ndërtesë e madhe me blloqe guri, me bazë katrore dhe me katër faqe anësore në trajtë trekëndëshi dybrinjënjëshëm e të bashkuara sipër në një kulm, që shërbente si varr për faraonët e Egjiptit të lashtë. Piramida e Keopsit.

PIRG

Ndërtesë e lartë rrumbullake a katërkëndëshe pranë mureve të një qyteti ose të një kështjelle, që shërbente për mbrojtje, si pikë vrojtimi etj.; kullë e lartë, zakonisht e rrumbullakët. Pirgjet e kalasë (e murit rrethues). U shemb një pirg.

PIRUST

Pjesëtar i njërit prej fiseve kryesore ilire, që banonte në trevat e Malësisë së Lezhës, të Mirditës dhe të Matit dhe që ishte i dëgjuar për shkrirjen e bakrit e të hekurit. Fisi i pirustëve. Trojet e pirustëve. Armët (zbukurimet) e pirustëve.

PISQOLLË

Armë e vjetër me çark, që mbushej nga gryka dhe mbahej në brez; kobure. Pisqollë e larë në argjend. Pisqollë dygrykëshe (me dy tyta).

PLAK

Burrë, zakonisht kamës, që zgjidhte ngatërresat ndërmjet njerëzve, që vendoste për punët e fshatit etj. Plaku i katundit kryeplaku i fshatit. Pleqtë e fshatit anëtarët e pleqësisë së fshatit. Ranë ndër pleq e shtruan çështjen në pleqësinë e fshatit.

PLEBE

Njeri i shtresave të ulëta në Romën e Vjetër, që mund të ishte i lirë, por nuk gëzonte të drejta politike. Plebenjtë dhe patricët. Kryengritjet e plebenjve.

PLEQËSI

Këshill burrash, të zgjedhur në një fshat a në një lagje, që vendosnin për punët e fshatit a të lagjes, pajtonin gjaqet, zgjidhnin mosmarrëveshjet etj.; organ këshillues i pushtetit shtetëror në një krahinë që përbëhej prej njerëzve të parisë; kuvendi i pleqve. Pleqësia kombëtare. Pleqësia e fshatit. Pleqësia dhe vegjëlia.

PORTË

Porta e Lartë. sulltani dhe qeveria si autoriteti më i lartë e përfaqësues i Perandorisë Osmane.

POSTËKOMANDANT

Komandanti i xhandarmërisë në një komunë.

POSTËKOMANDË

Komanda e xhandarmërisë në një komunë; ndërtesa ku ishte vendosur kjo komandë. Postëkomanda e xhandarmërisë. Asgjësoi një postëkomandë.

PRANGA

Zinxhir a hekura me hallka të kapura njëra me tjetrën, që përdoren për t’i lidhur duart dikujt që arrestohet a burgoset; zinxhir me hallka të forta, që përdorej nga skllavopronarët për t’u lidhur këmbët dhe duart skllevërve. I vunë prangat. I hodhi (i shtiu) prangat. E lidhën me pranga. Iu gjetën prangat në varr.

PREFEKT

1. Nëpunës i lartë qeveritar në një prefekturë, kryetari i prefekturës.

2. Kryetari i një prefekture në disa vende.

3. Kryetari a shefi i policisë së qytetit në disa vende borgjeze.

4. Titull për disa nëpunës të administratës dhe për disa ushtarakë; emërtim për disa nëpunësi në administratë dhe në ushtri (në Romën e lashtë).

PREFEKTURË

Njësia më e madhe e ndarjes administrative e tokësore në Shqipëri para Çlirimit, që kishte si qendër një qytet kryesor; organ i pushtetit shtetëror në një njësi të tillë; ndërtesa e zyrat e këtij organi shtetëror.

PREHISTORI

Parahistori. Prehistoria e vendit. Ka kaluar në prehistori i përket së shkuarës së largët.

PREHISTORIK

Parahistorik. Kohët prehistorike. Kafshë (qenie) prehistorike. Vendbanim prehistorik. Kultura (piktura) prehistorike.

PRIFT

Titulli fetar më i thjeshtë në kishën e krishterë; ai që mban këtë titull dhe kryen shërbesat e zakonshme fetare (në vendet ku vepron kisha e krishterë)

PRIFTËRESHË

1. E shoqja e priftit.

2. Grua ose vajzë që kryente shërbesat fetare në një tempull (në botën e lashtë).

PRINC

1. Titull i birit të një mbreti a perandori ose i një anëtari të familjes mbretërore; ai që mban këtë titull. Princi trashëgimtar.

2. Sundimtari i një principate (në shoqërinë feudale). Princ feudal vasal i një mbreti a perandori. Princat e Arbrit.

3. Kryetar shteti (në ndonjë vend me regjim monarkik); monarku. Princi i Monakos.

PROLETAR

Qytetar i shtresës më të varfër e më të ulët në Romën e Vjetër.

PRONË

Arat bashkë me shtëpinë; toka, çifligu.

PURITAN

1. Ithtar e përkrahës i puritanizmit.

2. Ai që mban qëndrim tepër të rreptë e të ngurtë ndaj normave e rregullave të vendosura; ai që mban qëndrim puritan të tepruar.

PURITANIZËM

Lëvizje fetare e politike e borgjezisë angleze në shek. XVI-XVII, që drejtohej kundër feudalizmit dhe absolutizmit mbretëror dhe që kishte si qëllim kryesor pastrimin e kishës anglikane nga ritet e ceremonitë e kishës katolike. Ithtar i puritanizmit.

 

Fjalor Historik

3 thoughts on “Fjalori i Historise – Fjalor Historik”

      1. Si emër,
        historiku është përmbledhja e ngjarjeve dhe
        i të dhënave që lidhen me zhvillimin e diçkaje.

        Si mbiemër:
        1. historik është diçka që i takon historisë,
        2. është diçka që është e vërtetë,
        3. është diçka e rëndësishtme që ja vlen të mbahet mend

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *