Fjalori i Gjuhësisë – indeksi

Fjalori i Gjuhësisë
MARRËDHËNIE

MARRËDHËNIE

Lidhje e ndërsjellë ndërmjet sendeve, dukurive ose veprimeve të

ndryshme; raport. Marrëdhënie kushtore (kohore, qëllimore).

MASHKULLORE

Gjinia mashkullore

MBARESË

Secila nga ndajshtesat trajtëformuese që u vihen në fund

temave të pjesëve të ndryshueshme të ligjëratës gjatë lakimit a

zgjedhimit për të shprehur kuptimet gramatikore. Mbaresë rasore

(vetore, foljore). Mbaresat e njëjësit (e shumësit). Mbaresat e

kohës së tashme (e së pakryerës).

MBIDIALEKTOR

Që qëndron mbi dialektet, që është i një shkalle më të lartë se

dialektet e të folmet. Sistem mbidialektor. Ka karakter

mbidialektor. Gjuha letrare kombëtare është gjuhë mbidialektore.

MBIEMËR

Pjesë e ligjëratës që shënon një tipar të sendit, ka

shkallë krahasimi dhe lidhet me emrin, me të cilin përshtatet në

gjini, në numër e në rasë. Mbiemër i nyjshëm (i panyjshëm).

Mbiemër cilësor (dëftor, i pakufishëm). Mbiemër foljor (prejfoljor).

Emri e mbiemri. Shkallët e mbiemrit. Lakimi i mbiemrave.

MBIEMËROR

Që lidhet me mbiemrin, që i përket mbiemrit; që ka vlerën a

tiparet e mbiemrit. Temë mbiemërore. Prapashtesë mbiemërore.

MBIEMËRZOJ

E kthej në mbiemër ose e përdor si mbiemër (një emër a një

pjesë tjetër të ligjëratës). Mbiemërzoj një emër.

MBIEMËRZUAR

Që është kthyer në mbiemër, ose që përdoret si mbiemër.

Pjesore e mbiemërzuar.

MBYLLTOR

Që shqiptohet duke u mbyllur a duke u puqur plotësisht

organet e nyjëtimit në rrugën e kalimit të ajrit, i cili e kapërcen

këtë pengesë me shpërthim ose i del asaj anash (për

bashkëtingëlloret si t, d, p, b, k, g etj.). Bashkëtingëllore mbylltore.

MBYLLUR

Rrokje e mbyllur, rrokje që mbaron me një bashkëtingëllore.

Zanore e mbyllur, zanore që përftohet duke e ngritur shpinën e

gjuhës drejt qiellzës më shumë se kur shqiptojmë zanoret e hapura.

MELODIK

Theks melodik, theks që karakterizohet nga ngritja e ulja e

zërit; shkalla e lartësisë së zërit në rrokjen e theksuar.

MESGJUHOR

Që përftohet duke u puqur pjesa e mesme e shpinës së gjuhës

me qiellzën e fortë (për bashkëtingëlloret si q, gj, nj).

Bashkëtingëllore mesgjuhore.

MESOR

Që ka trajtë pësore dhe kuptim jokalimtar. Folje mesore folje që

kanë trajtë pësore dhe kuptim jokalimtar (p.sh. hidhem, gëzohem,

kollem, rritem etj.).

MESORE

Tingull që përftohet duke kaluar ajri nëpër gjatësinë e

zgavrës së gojës (për bashkëtingëlloren j).

METAFORË

Përdorimi i një fjale a i një shprehjeje me kuptim të figurshëm në

bazë të krahasimit sipas ngjashmërisë; fjala a shprehja e

përdorur me këtë kuptim; figura letrare që ndërtohet me këtë

mënyrë (p.sh. qesh natyra, vullnet i çeliktë etj.) Metaforë e

thjeshtë. Metaforë letrare (gjuhësore).

METAFORIK

1. Që është përdorur me kuptim të figurshëm, të mbështetur në

krahasim, që është një metaforë. Kuptim metaforik. Fjalë (frazë,

shprehje) metaforike. Varg metaforik. Në mënyrë metaforike.

2. Që ka shumë metafora, i pasur me metafora; i figurshëm. Stil

metaforik. Ligjëratë metaforike.

METATEZË

Vendkëmbim

METONIMI

Përdorimi i një fjale a i një shprehjeje në vend të një tjetre, duke u

mbështetur në afrinë që kanë sendet e dukuritë në hapësirë a në

kohë, në lidhjet e tyre sipas lëndës, sipas funksionit etj. (p.sh.

«tryezë e pasur» në vend të «gjellë a të ngrëna të shumta», «u

rreshtua klasa e tretë» në vend të «nxënësit e klasës së tretë»,

«u nis i tërë fshati» në vend të «fshatarët», «me hekur e me

zjarr» në vend të «me shpatë e me zjarr» etj.); fjala a shprehja e

përdorur me këtë kuptim; figura letrare që ndërtohet me këtë

mënyrë. Metonimi gjuhësore (letrare).

METONIMIK

Që ka karakterin e metonimisë; që ka metonimi. Shprehje

metonimike. Kuptim (përdorim) metonimik.

MËNYRË

Kategori gramatikore e foljes, që shpreh marrëdhëniet

ndërmjet asaj që thuhet dhe realitetit nëpërmjet trajtash të

veçanta që e japin veprimin a gjendjen si diçka që ndodh a është

me të vërtetë, si mundësi, si dëshirë, si urdhër etj.; tërësia e

trajtave të ndryshme që merr folja gjatë zgjedhimit sipas kohës,

numrit e vetës. Mënyra dëftore (lidhore, kushtore, habitore,

dëshirore). Kategoria gramatikore e mënyrës.

MËNYROR

1. Që lidh një fjali të varur, e cila tregon mënyrën e kryerjes së

një veprimi me fjalinë drejtuese që shpreh këtë veprim (për

lidhëzat si, siç, ashtu si, ashtu siç, kështu si, sikur, sikurse etj.).

2. Që lidhet me lidhëza të tilla dhe tregon mënyrën e kryerjes së

një veprimi (për fjalitë).

MOHUES

Që përdoret për të shprehur mohim; mospajtim,

mospëlqim etj., që ka kuptimin e mohimit; mohor. Fjali mohuese.

Fjali mohuese. Pjesëza mohuese.

Me kuptim mohues.

MORFOLOGJI

Pjesë e gramatikës, që merret me studimin e trajtave të

fjalëve, si edhe të kategorive gramatikore të tyre; sistemi i trajtave

të fjalëve të një gjuhe. Morfologjia e gjuhës shqipe. Morfologjia

dhe sintaksa.

MORFOLOGJIK

Që lidhet me sistemin e trajtave të fjalëve të një gjuhe, që

ka të bëjë me morfologjinë e fjalëve; që i përket morfologjisë së

një gjuhe. Sistemi morfologjik i gjuhës. Ushtrime morfologjike.

Analizë morfologjike.

MUNGESË

Elipsë.

MUNGESOR

Që nuk i ka të gjitha gjymtyrët (për fjalinë) ose trajtat (për lakimin

a për zgjedhimin), i paplotë. Lakim mungesor i emrave. Fjali

mungesore fjali e paplotë.

 

Fjalori i Gjuhësisë

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *