Fjalori i Gjuhësisë – indeksi

 

SASI

Zgjatja e shqiptimit të një tingulli; zgjatja e

shqiptimit të një rrokjeje në një varg.

SEMANTIKË

1. Semasiologji. Semantika e përgjithshme. Semantika

historike.

2. Përmbajtja kuptimore e njësive të gjuhës; kuptimi leksikor i

fjalëve dhe i shprehjeve.

SEMASIOLOGJI

Degë e gjuhësisë që studion kuptimin a përmbajtjen e njësive

të gjuhës ose kuptimet leksikore të fjalëve e të shprehjeve dhe

ndryshimet e tyre. Semasiologjia e përgjithshme. Studime në

fushën e semasiologjisë.

SENDËZOHET

Merr trajtën konkrete të një sendi, kthehet në diçka që kapet

nga shqisat, shndërrohet nga diçka abstrakte në konkrete,

fiton përmbajtje sendore. Sendëzohet një kuptim.

SINKRONI

Gjendja e një gjuhe, e shikuar si një sistem në një

fazë të caktuar historike të zhvillimit të saj. Sinkronia dhe

diakronia.

SINKRONIK

Që merret me studimin e sistemit të gjuhës në një

fazë të caktuar historike të zhvillimit të saj. Studime

sinkronike. Gjuhësia sinkronike.

SINONIM

Fjalë, shprehje ose ndërtim që ka kuptim të njëjtë ose

shumë të afërt me kuptimin e një fjale, të një shprehjeje a të

një ndërtimi tjetër (p.sh. udhë e rrugë, trim e i guximshëm, filloj

e nis, zë e kap, duroj e bëj durim etj.). Sinonime të plota (të

pjesshme). Sinonime stilistike. Varg sinonimesh. Fjalor

sinonimesh.

SINONIMI

Ngjashmëri e fjalëve, e shprehjeve a e ndërtimeve të

ndryshme nga kuptimi. Sinonimia e fjalëve.

SINTAKSË

1. Pjesë e gramatikës, që studion mënyrat si lidhen fjalët në

togfjalësha ose në fjali dhe vetë fjalitë ndërmjet tyre; lënda që

jep njohuritë e kësaj pjese të gramatikës në shkollë; bised.

teksti që përmban këto njohuri. Sintaksa e fjalisë (e

periudhës). Rregullat e sintaksës. Studimet në fushën e

sintaksës. Libri i sintaksës. Dha provimin e sintaksës. U

botua «Sintaksa» e re.

2. Mënyra se si lidhen fjalët në fjali dhe fjalitë ndërmjet tyre në

një gjuhë; veçoritë e përdorimit të pjesëve të ndryshme të

ligjëratës në fjali; ndërtimi i fjalive në një gjuhë. Sintaksa e

shqipes. Sintaksa e fjalisë. Sintaksa poetike. let. ndërtim i

posaçëm i fjalisë për t`i dhënë fuqi e gjallëri shprehjes.

SINTAKSOR

Që ka të bëjë me sintaksën, i sintaksës; që shihet nga ana e

sintaksës. Marrëdhënie (lidhje) sintaksore. Ndërtimi

(funksioni) sintaksor. Analizë sintaksore. Huazime sintaksore.

SINTETIK

Që i shpreh marrëdhëniet ndërmjet gjymtyrëve në fjali

me anë të ndryshimeve të trajtave të vetë fjalëve; që shprehet

me një fjalë të vetme (për trajtat); kund. analitik. Gjuhë

sintetike. Rasat sintetike. Trajtat sintetike të foljes.

Me ndërtim sintetik.

SIPËRI

Të qenët mbi këdo a mbi gjithçka tjetër në një shkallëzim

cilësish ose vlerash, epërsi. Ka sipëri të plotë.

Shkalla krahasore e sipërisë,

një nga shkallët e krahasimit të mbiemrave e të ndajfoljeve,

kur tiparet e sendeve që krahasohen janë në një shkallë më

të lartë se ato të sendeve me të cilat krahasohen ose kur

veprimi i shprehur nga folja kryhet në një shkallë më të lartë

se një veprim tjetër.

SIPËROR

Shkalla sipërore: trajtë e mbiemrave cilësorë, që tregon

shkallën më të lartë të tiparit të një sendi jashtë çdo krahasimi

(sipërore absolute) ose në krahasim me të gjitha sendet e

tjera të të njëjtit lloj (sipërore relative); trajtë e disa ndajfoljeve,

që tregon shkallën më të lartë të një procesi (p.sh. shumë i

mirë; lojtari më i mirë i skuadrës; shumë bukur etj.).

SISTEM

Sistemi emëror (foljor).

Sistemi grafik.

SKAJOJ

I jap trajtën e shquar një emri, mbiemri, përemri; shquaj.

SLLAVIZËM

Fjalë a shprehje me prejardhje nga një gjuhë sllave.

STIL

Zgjedhja dhe ndërthurja e mjeteve të gjuhës

(kryesisht e mjeteve leksikore e sintaksore) në përputhje me

kërkesat e një fushe të veprimtarisë, me përmbajtjen ose me

metodën artistike dhe me qëllimet e shkrimtarit; shtresimi i

mjeteve të gjuhës sipas funksioneve që kryejnë në ligjërim.

Stilet gjuhësore (e gjuhës). Stilet funksionale. Stil bisedor

(libror, zyrtar, shkencor, publicistik). Stili asnjanës. Stil i lartë.

Sistemi i stileve. Stili i plotë i shqiptimit.

STILISTIK

1. Që ka të bëjë me stilin, i stilit. Ngjyrime (veçori) stilistike.

Shtresimi stilistik.

Mjetet stilistike. Sinonime stilistike. Figurat stilistike. Norma

stilistike. Shënimet stilistike në fjalor.

2. Që ka të bëjë me stilistikën, që lidhet me stilistikën.

SUBJEKT

Kryefjalë

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *