Fjalori i Gjuhësisë – indeksi

Fjalori i Gjuhësisë

 

ELBASANISHTE

E folmja e qytetit të Elbasanit dhe e rrethinave të tij. Elbasanishtja

letrare variant i shqipes letrare përpara Çlirimit, i formuar

kryesisht mbi bazën e të folmes së qytetit të Elbasanit dhe të

rrethinave të tij; varianti i mesëm i gjuhës letrare shqipe.

EMËR

Pjesë e ndryshueshme e ligjëratës, që shënon një qenie

a një send dhe që ka gjini, numra e rasa. Emër i përgjithshëm (i

përveçëm). Emër konkret (abstrakt). Emër përmbledhës. Emër

mashkullor (femëror, asnjanës). Emër i shquar (i pashquar).

Lakimi i emrave. Gjinia (rasa) e emrit. Numri i emrit. Formimi i emrave.

EMËROR

Që ka të bëjë me emrin, që i përket emrit, i emrit; që ka

vlerën e emrit, që është baras me një emër; që ka në përbërjen e

vet një emër si pjese kryesore. Mbaresat emërore. Kallëzues

emëror. Fjali emërore. Përdorim emëror.

EMËRORE

Rasa emërore: rasa e parë e lakimit në gjuhën shqipe. Emër

në rasën emërore.

EMËRTUES

Që shënon një send, që emërton. Fjalë emërtuese.

EMËRUES

Emërtues.

EMËRZIM

Veprimi dhe gjendja sipas kuptimeve të foljeve emërzoj.

Emërzimi i mbiemrit (i pjesores).

EMËRZOHET

Shndërrohet në emër, bëhet emër, merr tiparet e emrit;

përdoret si emër.

EMËRZOJ

E shndërroj në emër, i jap tiparet e emrit; e përdor si emër.

Emërzoj një mbiemër (një pjesore, një pasthirrmë).

EMËRZUAR

Që është shndërruar në emër, që ka marrë tiparet e emrit; që

përdoret si emër. Mbiemër i emërzuar. Pjesore e emërzuar.

EMFAZË

Theksim i posaçëm i disa tingujve; theksim i veçantë i një

fjale ose i disa fjalëve për të vënë në dukje me shumë vlerën a

rëndësinë e tyre; përdorim i tepruar i stilit të lartë në ligjërim.

Shqiptoi me emfazë.

EPTIM

Ndryshimi që pësojnë fjalët në trajtën e tyre gramatikore, kur

hyjnë në lidhje me fjalë të tjera në fjali; mënyrat e një ndryshimi të

tillë dhe tërësia e trajtave të fjalës gjatë këtij ndryshimi; mbaresa

e një fjale që ndryshon kur lakohet a kur zgjedhohet. Eptim

emëror (foljor, përemëror). Eptim i jashtëm mbaresat e trajtave

gramatikore. Eptim i brendshëm ndryshimi i tingujve në rrënjën e

fjalës, i cili jep një trajtë të re gramatikore. Eptim i shquar (i

pashquar).

EPTUESHËM

Që i formon trajtat gramatikore të fjalëve me anë të eptimit.

Gjuhët e eptueshme.

ETIMOLOGJI

1. Degë e gjuhësisë që studion prejardhjen e fjalëve të një gjuhe,

duke u mbështetur në historinë e saj e në lidhjet me gjuhët e

tjera. Etimologjia shkencore. Etimologji popullore etimologji që e

përcakton në mënyrë të gabuar prejardhjen e fjalëve, duke u

mbështetur zakonisht te ngjashmëria e tyre e jashtme, tingullore

me fjalë të tjera të njohura dhe pa marrë parasysh ligjet e

zhvillimit historik të gjuhëve. Etimologjia e gjuhës shqipe. Merrem

me etimologji.

2. Prejardhja e një fjale. Etimologji e qartë (e panjohur).

Etimologji e një fjale. Përcaktoj etimologjinë e fjalës.

ETIMOLOGJIK

Që ka të bëjë me etimologjinë, që i përket etimologjisë, i

etimologjisë; që mbështetet në etimologji, sipas etimologjisë.

Kërkime (studime) etimologjike. Fjalor etimologjik. Drejtshkrim

etimologjik.

ETRUSKISHTE

Një nga gjuhët e vjetra të Gadishullit Italik, gjuha etruske. Studimi

i etruskishtes.

EUFONI

Bukurtingëllim

EUFONIK

Bukurtingëllues

 

Fjalori i Gjuhësisë

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *