Fjalori i Letersise shqiptare| Fjalor letrar

Fjalori i Letersise

-M-
MADRIGAL

MADRIGAL
Vjershë e shkurtër ose këngë lirike, kryesisht me
përmbajtje dashurie, kushtuar gruas së zemrës.

MASË
Numri dhe mënyra e radhitjes së rrokjeve të
theksuara e të patheksuara në llojet e ndryshme të
vargjeve. Masa e vargut. Masat e një vjershe

MASHKULLOR
Që e ka theksin në rrokjen e fundit. Varg
mashkullor. Rimë mashkullore.

MBYLLUR
Rimë e mbyllur rimë e një strofe katërshe, ku vargu i
parë përkon me të katërtin dhe i dyti me të tretin
(skema abba ). Rrokje e mbyllur

MELODRAMATIK
Që lidhet me melodramën; që i përket melodramës,
i melodramës. Pjesë (shfaqje) melodramatike.
Rol melodramatik. Me karakter melodramatik.

MELODRAMË
1. Vepër dramatike moralizuese, ku veprimi
zhvillohet në mënyrë të tillë që ta mallëngjejë
spektatorin e ta mbajë atë në një gjendje të ngritur,
duke gërshetuar elementet e theksuara tragjike, me ato
sentimentale dhe duke shfrytëzuar efektet e jashtme e
situatat e papritura e artificiale.
2. Vepër dramatike, në të cilën fjala e
personazheve shoqërohet me muzikë e me këngë
3. Ngjarje ose gjendje, gjatë së cilës shfaqen
lirshëm lloj-lloj ndjenjash prekëse që shkaktojnë të qara
e të qeshura. Pati një melodramë.

METAFORË
Përdorimi i një fjale a i një shprehjeje me kuptim të
figurshëm në bazë të krahasimit sipas ngjashmërisë;
fjala a shprehja e përdorur me këtë kuptim; figura
letrare që ndërtohet me këtë mënyrë (p.sh. qesh
natyra, vullnet i çeliktë etj.) Metaforë e thjeshtë.
Metaforë letrare (gjuhësore).

METAFORIK
1. Që është përdorur me kuptim të figurshëm, të
mbështetur në krahasim, që është një metaforë. Kuptim
metaforik. Fjalë (frazë, shprehje) metaforike. Varg
metaforik. Në mënyrë metaforike.
2. Që ka shumë metafora, i pasur me metafora; i
figurshëm. Stil metaforik. Ligjëratë metaforike.

METËR
Ndërtimi i vargut sipas numrit e rendit të rrokjeve
të theksuara e të patheksuara; masa e vargut. Metër i
lirë. Metri i vargut. Llojet e metrave.

METONIMI
Përdorimi i një fjale a i një shprehjeje në vend të një
tjetre, duke u mbështetur në afrinë që kanë sendet e
dukuritë në hapësirë a në kohë, në lidhjet e tyre sipas
lëndës, sipas funksionit etj. (p.sh. «tryezë e pasur» në
vend të «gjellë a të ngrëna të shumta», «u rreshtua
klasa e tretë» në vend të «nxënësit e klasës së tretë»,
«u nis i tërë fshati» në vend të «fshatarët», «me hekur
e me zjarr» në vend të «me shpatë e me zjarr» etj.);
fjala a shprehja e përdorur me këtë kuptim; figura
letrare që ndërtohet me këtë mënyrë. Metonimi
gjuhësore (letrare).

METONIMIK
Që ka karakterin e metonimisë; që ka metonimi.
Shprehje metonimike. Kuptim (përdorim) metonimik.

METRIK
Që ka të bëjë me metrin si masë e vargut. Varg metrik.

METRIKË
Teoria mbi rregullat e ndërtimit të vargjeve dhe të
strofave; tërësia e masave të vargut. Metrika shqipe.
Metrika antike.

MINIATURË
Pjesë e vogël letrare e muzikore (skenë
dramatike, skeç etj.); skicë. Miniaturë teatrale
(dramaturgjike). Miniaturë orkestrale (instrumentale,
pianistike). Teatri i miniaturave.

MISTER
Dramë fetare në mesjetën e vonë, në të cilën
trajtoheshin tema nga bibla, të ndërthurura me skena
komike nga jeta e përditshme.

MODERNIZËM
Tërësi rrymash, drejtimesh e shkollash subjektiviste
e formaliste të artit në undit të shekullit XIX e
të shekullit XX (si kubizmi, futurizmi, abstraksionizmi
etj.), që i kundërvihen artit përparimtar realist, heqin
dorë nga pasqyrimi i realitetit.

MONOLOG
1. Pjesë në prozë ose në vargje në një vepër letrare,
që përmban kuvendimin e një personazhi me vetveten
ose që u drejtohet lexuesve, dëgjuesve a shikuesve (në
një shfaqje teatrale); pjesë dramatike me një
personazh, zakonisht me një akt a me një skenë të
vetme. Monolog lirik. Recitoi një monolog.
2. Shprehja e mendimeve dhe e ndjenjave të një
personazhi duke kuvenduar me vetveten si mjet artistik
që përdoret nga shkrimtarët në veprat letrare. Monolog
i brendshëm. Shfrytëzon shumë monologun (në një
vepër).

MOTIV
Pjesa më e thjeshtë përbërëse e subjektit të
një vepre letrare a artistike, që shërben si bërthamë
organizuese e saj; ideja kryesore, tek e cila mbështetet
një krijim artistik, tema e tij; fill që përshkon një vepër
letrare a krijim artistik nga fillimi deri në fund. Motivi
kryesor. Motive plotësuese (të njohura)

Fjalori i Letersise

Comments
All comments.
Comments