Fjalori i Letersise shqiptare| Fjalor letrar

Fjalori i Letersise

-T-

tablo
TABLO
Pjesë e një vepre dramatike ose nënndarje e
një akti, në të cilën ndërron dekori, pamje; pjesë
muzikore, artistike etj. e mëvetësishme, që trajton një
temë nga jeta. Tabloja e parë. Tablo muzikore
(koreografike). Dramë me tre akte e me pesë tablo.

TETËRROKËSH
Varg i përbërë nga tetë rrokje. Tetërrokëshi në poezinë
popullore. Përdor tetërrokëshin.

TINGËLLIMË
Poezi lirike me katër strofa, prej të cilave dy të
parat kanë nga katër vargje e dy të dytat nga tre vargje
zakonisht njëmbëdhjetërrokëshe e me sistem rimash të
ndryshme; sonet. Ka shkruar tingëllima. Recitoi një
tingëllimë. I kushtoi një tingëllimë.

TIP
Personazh në tiparet vetjake të të cilit
mishërohen artistikisht veçoritë e përbashkëta e më
thelbësore të një klase a shtrese shoqërore, të një
kombësie a kombi etj. Tipi i revolucionarit ( i komunistit).
Tipi i punëtorit (i kooperativistit). Tipi i borgjezit (i
feudalit). Tipi i intelektualit. Tipi i burokratit. Tipi i
malësorit shqiptar.

TIPIK
Që mishëron artistikisht veçoritë e
përbashkëta e më thelbësore të një grupi shoqëror, të
një klase, të një kombi a të dukurive në një periudhë të
caktuar historike, që bëhet përfaqësues i tyre. Hero
tipik. Personazhe tipike në rrethana tipike.

TIPIZOJ
Zgjedh atë që është tipike për një grup të
caktuar njerëzish ose për një varg dukurish të jetës dhe
e mishëroj atë të përgjithësuar në mënyrë krijuese në
figurat artistike duke theksuar ato anë që zbulojnë më
mirë thelbin e tyre dhe që shprehin më qartë qëndrimin
e shkrimtarit.

TIPOLOGJI
Klasifikimi i qenieve, sendeve, i gjuhëve dhe i dukurive
të ndryshme sipas tipareve thelbësore të përbashkëta,
ndarja e tyre në tipa. Tipologjia e gjuhëve. gjuh.
Tipologjia e romanit

TRADITË
Trashëgim i arritjeve më të mira në fushën e
letërsisë e të artit, gjithçka e mirë e përparimtare që na
kanë lënë brezat e kaluar në këtë fushë. Ruajtja e
traditave. Mbështetja në traditën.

TRAGJIK
1. Që ka të bëjë me tragjedinë, që i përket
tragjedisë, i tragjedisë; që është karakteristik për
tragjedinë, që të mallëngjen e të prek thellë. Pjesë
tragjike. Personazh tragjik. Aktor tragjik. Role tragjike.
Poet tragjik.
2. Veçori e botës emocionale
që përshkon një vepër letrare ose artistike, e dhënë
nëpërmjet një gjendjeje pa rrugëdalje që vjen nga
mospërputhja ndërmjet synimeve të heroit e mundësisë
së realizimit të tyre dhe që e çon atë në një fund të
hidhur; tragjizëm. Tragjikja dhe komikja. Tragjikja dhe
heroikja. Pasqyrimi i tragjikes në letërsi.

TRAGJIKOMEDI
Lloj i gjinisë dramatike me elemente të tragjedisë
e të komedisë, të lidhura e të pleksura organikisht;
vepër letrare e këtij lloji me elemente tragjike e komike,
e cila ka zakonisht një fund të gëzuar; shfaqja e kësaj
vepre në skenë. Personazhet e tragjikomedisë.

TRAGJIKOMIK
Që përmban elemente të tragjedisë dhe të
komedisë të lidhura e të pleksura organikisht; që të bën
të mallëngjehesh, e të qeshësh njëkohësisht; i trishtuar
dhe qesharak. Vepër tragjikomike. Personazh
tragjikomik.

TRAGJIZËM
Ana tragjike në një vepër letrare ose artistike,
ajo që e bën tragjike një vepër, karakteri tragjik i saj.
Tragjizmi i romanit (i karaktereve).

TREGIM
Vepër e vogël letrare në prozë, në të cilën
përshkruhet zakonisht në një vijë një çast ose një
ngjarje me rëndësi nga jeta e një heroi a personazhi,
pa dhënë në mënyrë të hollësishme se ç’ka ndodhur
më përpara a më pas. Tregim i gjatë(i shkurtër).
Tregim historik (humoristik, fantastik). Tregim në vargje.
Vëllim me tregime. Lexoj (shkruaj) një tregim.

TRERROKËSH
Që është i përbërë nga tri rrokje. Fjalë trerrokëshe.
Varg trerrokësh.

TRESH
Strofë treshe, strofë me tre vargje.

TRILLIM
Krijimi i një ngjarjeje a i një karakteri, që nuk
është ashtu në jetën e përditshme, por që jepet si diçka
e vërtetë që mund të ndeshet a mund të ngjasë; krijim
imagjinar, fantazi. Trillim artistik (poetik).

TROKE
Masë vargu a këmbë në poezinë klasike, e formuar nga
dy rrokje, prej të cilave e para është e gjatë dhe e dyta
e shkurtër.

TROP
Fjalë a shprehje që përdoret me kuptim të figurshëm
për t’i dhënë ligjërimit fuqi shprehëse më të madhe.
Metafora është një lloj tropi.

 

Fjalori i Letersise

Comments
All comments.
Comments