NJË LUL’ E VISHKURË, A NJË VASHËZ’ E VDEKURË

NJË LUL’ E VISHKURË

NJË LUL’ E VISHKURË, A NJË VASHËZ’ E VDEKURË

NJË LUL’ E VISHKURË
Pse mba mëri? s’e mar dot vesh,
Përse s’më flet si një herë?
Pse s’më shikon? pse nukë qesh?
Ç’rri kok’ unjur dhe e mjerë!
Sa e qeshur më qe dije!
Të xbardhte gusha si kartë;
Buza me gas ç’të kish hie!
Më ishnje si fill’ artë!
Popo! si më je shëmtuar!
Të ka zënë varfërija,
Më je tretur e kulluar!
Ku fluturoj bukurija?
Të shoh të fishkurë për dhë,
pa shpirt, pa gjak, pa fytyrë,
Na le, o lulezë, na le!
vdekje! ç’je një mynxyrë!!
Që lott’ e syvet s’i shikon,
S’vë vesh në mallëngjime,
Je e shurdhër, nukë dëgjon,
Ah! je plot me hidhërime!
Sa na dhemp e shkreta jetë!
Ndonëse nuk’ e pëlqejmë,
E pandehini të vërtetë,
Me gjësendi s’e çkëmbejmë!
Të korr’ o lulez’ e gjorë,
Të hedhë në jetet tjatër,
E nga neve hoqe dorë!
Më s’na ke t’ënt’ as të afër!
Ah! dh’ ata që kanë shkuar,
Zëmërnë zhur na e bënë,
E kemi të përvëluar,
Zëmra prej guri s’ka qënë.
Paskëtaj buza më s’më qesh,
Se zëmra m’ësht’ e lënduar,
Zot’ i vërtetë! të më ndjesh,
Jam djegur e përvëluar.
Qiej! veshuni në të zi!
Edhe ju yj më mos ndrini!
hënë, mos del përsëri!
Gjithë të helmuar rrini.
Nxihu, o diell’ i shkretë!
Ditë, rrobën’ e natës hidh!
Thahu e ti po dhë për jetë,
Ti lumë, qetohu, mos klith.
Të mbarohetë kjo jetë!
Të mbretëronjë pushimi!
Të bijemë në të qetë!
Të gjenjë funt hidhërimi!
Rrojmë këtu me mundime.
Me ah, e me psherëtima,
Me breng’ e me mallëngjime.
Me vaj e me ngashërima.
Më së fundi hyjmë në dhet,
Edhe kurrë më s’na gjejnë!
Bijem e humbasëm në det,
Dhe valëtë na rrëmbejnë!
Të rrëmbyen edhe tynë,
lulez’ e bukurisë!
T’a sheh të venitur synë,
Më ke fytyrën’ e zisë!
Kur dhë shpirtinë ti pshonje,
Me një psherëtimë si zjari,
Gjithë ç’jan’ i përvëlonje
Nukë mbetej as një fill bari.
Vallë ku do të të shpijen,
Në qiej, përpara Zotit?
A kërkojnë të të shtijen
Prapë në duart të motit?
Të linç për të vdekur prapë,
E të vdeç, që prapë të linç,
Edhe kështu vër’ e vapë,
Gjithënjë të veç’ e të vinç?
A po për jetë do të shkosh,
Mosqënja të të mbulonjë,
Edhe ti jetën fa harosh,
Dh’ ajo ty të haronjë?

Lulet e Veres
nga
NAIM FRASHERI

Poezi per femije 
____________________________________
 

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *