Fjalor Historik
Pjesëtar i njërit prej fiseve ilire, që banonte në trojet e Dalmacisë. Dalmatët ishin fqinjë me ardianët.
DALMAT
Që ka të bëjë me dalmatët, që është krijuar nga dalmatët; që u përket dalmatëve, i dalmatëve. Fis dalmat. Fjalë dalmate.
DAMKË
Shenjë që mbetet në lëkurën e një njeriu Damka e skllavërisë
DARDAN
Pjesëtar i njërit prej fiseve kryesore ilire, që jetonte në pjesën verilindore të trojeve të banuara sot nga shqiptarët. Fisi i dardanëve.
DASARET
Që ka të bëjë me dasaretët, që është krijuar nga dasaretët; që u përket dasaretëve, i dasaretëve. Luftëtar dasaret. Grua dasarete. Kultura dasarete.
DASH
Tra i madh me majë prej metali, që përdorej si mjet për të shpuar muret e kështjellave a për të shpërthyer portat e tyre. E goditnin portën me dash. I shembën muret me dash.
DEBATIKAS
Anëtar i organizatës antifashiste të fëmijëve me emrin «Debatik» (Djemtë e Bashkuar Anëtarë të Idesë Komuniste), që vepronte gjatë Luftës Nacionalçlirimtare nën drejtimin e Rinisë Komuniste.
DEFTER
1. Fletore.
2. Regjistër i kadastrës (gjatë pushtimit turk). Defteri i sanxhakut.
DEKAN
Komandant i dhjetë ushtarëve në ushtrinë romake.
DEMAGOG
Në Greqinë e lashtë: kryetari i një partie popullore; prijës i popullit, që i nxiste e i ndizte masat për të vepruar.
DEREBE
Sundimtar feudal që kishte për detyrë të siguronte rrugët nëpër trevat malore dhe që më vonë u bë çifligar i pasur (gjatë sundimit osman).
DESPOT
Sundimtar me pushtet absolut e të pakufizuar (në monarkitë skllavopronare të Lindjes së Lashtë); sundimtar feudal, në një krahinë të caktuar, i cili varej nga mbreti a nga perandori dhe nuk qeveriste në bazë të ligjeve, por vepronte në mënyrë arbitrare pa përfillur fare dëshirat e vullnetin e popullit; titull i lartë në hierarkinë feudale; tiran.
DESPOTAT
Shtet a krahinë që sundohej nga një despot. Despotati i Epirit.
DESPOTIZËM
1. Formë qeverisjeje që bazohej në sundimin e një monarku a të një njeriu të vetëm me pushtet të pakufizuar e absolut; tirani. Despotizmi lindor (oriental).
2. Sundim arbitrar e i egër me anë të dhunës e të shtypjes; tirani. Despotizmi ushtarak. Despotizmi carist
DIKTATOR
1. Kryetar i një shteti a i një qeverie, i cili ka pushtet të pakufizuar dhe vepron me egërsi e pa përfillur askënd. Diktator fashist. Diktator i egër.
2. Njeri, të cilit i jepej nga senati në Romën e Vjetër pushtet i pakufizuar (zakonisht për gjashtë muaj), kur shtetit i kanosej një rrezik i madh nga jashtë ose kur duheshin shtypur kryengritjet popullore.
DIKTATURË
1. Sundimi i diktatorit në Romën e Vjetër; pushteti i tij i pakufizuar; koha gjatë së cilës ai e ushtronte këtë pushtet.
2. Pushtet i pakufizuar shtetëror, që shpreh e mbron interesat e klasës sunduese dhe që ushtrohet me dhunë nga një njeri ose nga një grup njerëzish; pushteti i diktatorit. Diktaturë ushtarake (politike, fashiste, monarkiste). Diktaturë absolute. Diktaturë e egër. Diktatura e skllavopronarëve
3. Diktatura e proletariatit pushteti shtetëror i klasës punëtore
DIOQEZË
Ndarje administrative në Romën e Vjetër.
DITIRAMB
Këngë korale e gëzueshme e plot gjallëri, që këndohej në Greqinë e Vjetër për nder të Dionisit, perëndisë së rrushit e të verës. Këndonin ditirambe.
DIVAN
Këshilli i zyrtarëve me të lartë në oborrin e sulltanit të Turqisë, që kryente funksionet e gjykatës së lartë; dhoma ku mblidhej ky këshill.
DOMEN
Tokë që ishte nën zotërimin e një pronari të madh, të një feudali, të një mbreti etj. Domene të gjera.
DUALIST
Që është ndërtuar e vepron sipas parimeve e synimeve të dualizmit si sistem borgjez i qeverisjes së shteteve shumëkombëshe. Shtet dualist. Monarki dualiste.
DUALIZËM
Sistem borgjez i qeverisjes në shtetet shumëkombëshe, ku klasat shfrytëzuese të dy kombeve më të mëdha e të privilegjuara bashkohen nën pushtetin e një monarku të vetëm e veprojnë në mënyrë mjaft të pavarur për të shtypur më lehtë kombësitë e tjera dhe të gjitha masat punonjëse. Dualizëm monarkik. Dualizmi austro-hungarez.
DUKAT
Monedhë e vjetër prej argjendi dhe më vonë prej ari, që përdorej në disa vende të Evropës Perëndimore.
DUKATË
Shtet feudal a krahinë që sundohej e qeverisej nga një dukë; pronat, zotërimet e një duke.
DUKESHË
E shoqja ose e bija e dukës.
DUKË
Titull i lartë aristokratësh, më i ulët se ai i princit; sundimtari i një dukate; ai që mbante këtë titull.
DYFEKMBAJTËS
Luftëtar i armatosur me pushkë; pushkatar.
DYFEKTAR
Pushkatar.
DYNDJE
1. Dyndja e madhe e popujve. shpërnguljet e fiseve gjermane, vandale, hune, sllave etj. në shekujt III-VII, që vërshuan në zotërimet e Perandorisë Romake dhe luajtën një rol të rëndësishëm për shkatërrimin e saj.
2. Shumicë e madhe njerëzish që shpërngulen diku ose që vërshojnë në një drejtim të caktuar. Dyndjet e barbarëve. Dyndjet e sllavëve.
Fjalor Historik
i like to do
Qka dmth fjala historik
Si emër,
historiku është përmbledhja e ngjarjeve dhe
i të dhënave që lidhen me zhvillimin e diçkaje.
Si mbiemër:
1. historik është diçka që i takon historisë,
2. është diçka që është e vërtetë,
3. është diçka e rëndësishtme që ja vlen të mbahet mend