Fjalor Matematikor
TABELË
Tabela matematike, tabela përmbledhëse me vlera e me përfundime të zgjidhura për probleme e funksione të caktuara.
TEK
Që nuk plotpjesëtohet me dy; kund. çift. Numër tek.
TEOREMË
E vërtetë shkencore, e cila duhet provuar me arsyetime e me veprime tëndryshme; rregull në matematikë, që duhet provuar e duhet vërtetuar. Teoremë gjeometrike. Teorema e Pitagorës. Shprehja e teoremës. Vërtetoj (provoj) teoremën.
TERM
Numër a gjymtyrë përbërëse e një raporti. Termat e jashtëm (e brendshëm). Termat pasardhës (paraardhës).
TREGUES
Numër që vihet sipër e më të djathtë të një numri tjetër të dhënë dhe që shërben për të treguar se sa herë duhet të shumëzohet numri i dhënë me veten e tij; eksponent. Tregues pozitiv (negativ). Tregues zero. Treguesi i fuqisë. Treguesi i rrënjës.
TRESH
Rregulla e treshit, Rregull për llogaritjen e një madhësie të panjohur, duke nisur nga tri ose pesë a më shumë madhësi të tjera të njohura, që kanë ndërmjet tyre përpjesëtim të drejtë a të zhdrejtë.
TRI
Numri që vjen menjëherë pas numrit dy dhe që shënon një sasi të barabartë me dy edhe një. Tri gra. Tri shoqe. Tri ditë. Tri pjesë. Tri të dhjetat. Pjesëtoj për (me) tre.
TRIGONOMETRI
Degë e matematikës që studion lidhjet ndërmjet brinjëve e këndeve të trekëndëshit, vetitë e funksioneve të këndeve të ngushta në një trekëndësh kënddrejtë dhe lidhjet ndërmjet tyre.
TRINOM
Shprehje algjebrike që përbëhet prej tri gjymtyrësh të bashkuara me shenjen plus ose minus. Trinomi i gradës së dytë. Formula e trinomit. Shumëzimi i trinomeve. Zbërthimi i trinomit.