Fjalori i Gjuhësisë
DËFTOR
1. Që shërben për të dëftuar dikë a diçka, që tregon dikë a diçka.
Përemër dëftor përemër që tregon sendin për të cilin flasim dhe e
dallon atë nga sendet e tjera të një lloji me të (p.sh. ky, kjo etj.).
2. Fjali dëftore: lloj fjalie që jep një kumtim të drejtpërdrejtë për
ndonjë send ose dukuri dhe që shërben për t’u treguar të tjerëve
njohuritë që ka folësi për diçka a për dikë (p.sh. Ushtarët mbrojnë
atdheun. Rrushi piqet në gusht etj.).
3. Përemri dëftor. Dëftorët e shqipes. Lakimi i dëftorëve.
4. Mënyra dëftore një nga mënyrat e foljes në gjuhën shqipe, e cila
shpreh një veprim ose gjendje që mendohet nga folësi si diçka që
ndodh a është, ka ndodhur a ka qenë, do të ndodhë a do të jetë
me të vërtetë (p.sh. punoj, ndodhem, punoja, ndodhesha, kam
punuar, do të punoj etj.).
DËFTORE
Mënyra dëftore e foljes.
DËSHIROR
1. Që shpreh një dëshirë, që përmban në vetvete një dëshirë.
Kompozita dëshirore.
2. Fjali dëshirore: lloj fjalie që shpreh a kumton një dëshirë për
diçka (p.sh. u kthefshi faqebardhë!).
3. Mënyra dëshirore një nga mënyrat e foljes në gjuhën shqipe, e
cila shpreh një veprim ose gjendje që mendohet nga folësi si
diçka që dëshirohet të ndodhë a të jetë (p.sh. rroftë, qoftë, a
bëftë, daltë, ardhsha etj.).
DËSHIRORE
Mënyra dëshirore e foljes. Trajtat e dëshirores
DIAKRITIK
Që shërben për të dalluar diçka, dallues. Shenjë diakritike.
shenjë që i vihet një shkronje mbi të a nën të për të treguar se
duhet shqiptuar ndryshe nga shkronja pa këtë shenjë (p.sh. ë, ç).
DIALEKT
Variant i gjuhës së një populli, i cili përdoret nga një grup
njerëzish që banojnë në një truall pak a shumë të kufizuar ose që
i takojnë një shtrese shoqërore të caktuar. Dialekt territorial.
Dialekt shoqëror. Dialektet e shqipes. Dialekti i Veriut
(i Jugut). Afrimi i dialekteve. Studimi i dialekteve.
DIALEKTIZËM
Fjalë a kuptim i një fjale, shprehje, variant fonetik a trajtë
gramatikore që është veçori dalluese për një dialekt dhe që nuk
përputhet me normën e gjuhës letrare kombëtare, krahinorizëm.
Përdorimi i dialektizmave.
DIATEZË
Kategori foljore, që shpreh marrëdhëniet e ndryshme ndërmjet
veprimit dhe subjektit ose objektit të tij e që lidhet ngushtë edhe
me fjalëformimin, me ndryshimin e kuptimeve e të përdorimeve të
fjalëve (krahaso, p.sh. punoj – punohet; mësoj-mësohem; laj –
lahem; përpjek – përpiqem; gdhij -gdhihem, gdhihet; shtie –
shtihem; kollem etj.). Diateza veprore (pësore). Diateza vetvetore.
DIFTONG
Grup prej dy zanoresh që shqiptohen si një rrokje e vetme.
Diftong ngjitës diftong me theksin në zanoren e dytë. Diftong
zbritës diftong me theksin në zanoren e parë. Diftong i gjatë (i
shkurtër).
DIFTONGOHET
Merr vlerën e një diftongu; bëhet diftong, kthehet në diftong (një
zanore).
DIFTONGOJ
I jap vlerën e një diftongu; e bëj diftong, e kthej në diftong (një
zanore).
DISIMILIM
Shpërngjasim
DIVERGJENCË
Veçimi a largimi i diçkaje nga drejtimi kryesor, nga
prejardhja e përbashkët etj.; thellimi i dallimeve ndërmjet dy a më
shumë dukurive; prirje e ndryshme a e kundërt.
Divergjenca e gjuhëve (e dialekteve).
DOMETHËNIE
Kuptimi i një fjale; ajo që shprehet nga një shenjë
gjuhësore. Domethënia e fjalës.
DREJTPËRDREJTË
Kuptimi i drejtpërdrejte (i fjalës), kuptimi që lidhet
drejtpërdrejt me sendin a me nocionin që shënon fjala e që nuk
është i figurshëm; kuptimi i parë e i mirëfilltë i fjalës pa ngjyrimet
shprehëse e emocionale plotësuese (p. sh. shpatë e çeliktë
ndryshe nga vullnet i çeliktë, ose bushtër «femra e qenit» dhe
bushtër sharje. «grua e ligë, e përdalë, bisht tundur, lavire»).
DREJTSHKRIM
Sistem rregullash për t’i shkruar drejt e njësoj fjalët në gjuhën
letrare; zbatimi i këtyre rregullave. Drejtshkrim i njësuar.
Drejtshkrimi i gjuhës së sotme letrare shqipe. Drejtshkrimi i
fjalëve (i zanoreve, i bashkëtingëlloreve). Kongresi i
Drejtshkrimit. Parimet e drejtshkrimit. Rregullat e drejtshkrimit.
Njësimi i drejtshkrimit. Shprehitë e drejtshkrimit. Ushtrime
drejtshkrimi. Mësoi drejtshkrimin.
DRIDHËS
Që shqiptohet duke kaluar ajri nëpër një pengesë, e cila
hapet e mbyllet në mënyrë të rregullt dhe shkakton dridhje të
majës së gjuhës, të buzëve ose të njerithit. Bashkëtingëllore dridhëse.
DYBUZOR
Që përftohet duke u afruar ose duke u puqur të dyja
buzët (për disa tinguj bashkëtingëllorë). Bashkëtingëllore
dybuzore. Tingull dybuzor. (p, b).
DYGJINISHËM
Që ka dy gjini.
DYGJUHËSI
Zotërimi e përdorimi i dy gjuhëve nga një njeri ose nga një
popullsi në të njëjtën kohë.
DYGJUHËSOR
Dygjuhësh. Fjalor dygjuhësor.
DYGJUHËSH
1. Që fjalët e një gjuhe i përkthen me fjalët përgjegjëse të një
gjuhe tjetër sipas kuptimeve që kanë; që është në dy gjuhë.
Fjalor dygjuhësh.
2. Që lidhet me dygjuhësinë; që përdor a pranon përdorimin e dy
gjuhëve në të njëjtën kohë. Popullsi dygjuhëshe. Shkollë
dygjuhëshe.
DYGJYMTYRËSH
Që ka dy gjymtyrë, që përbëhet nga dy gjymtyrë. Fjali
dygjymtyrëshe.
DYKRYEGJYMTYRËSH
Që i ka të dyja gjymtyrët kryesore. Fjali dykryegjymtyrëshe.
DYRROKËSH
Që përbëhet nga dy rrokje. Fjalë dyrrokëshe.
DYSOR
1. Njëra prej dy a më shumë fjalëve që kanë të njëjtin kuptim
leksikor; njëra prej dy a më shumë trajtave fonetike a gramatikore
që kanë të njëjtën vlerë normative. Dysor kuptimor. Dysor
gramatikor (morfologjik, sintaksor). Dysor drejtshkrimor. Dysor
normativ.
2. Që është formuar nga dy pjesë, që ka dy pjesë
përbërëse; që lidhet nga kuptimi, nga funksioni etj. me një tjetër
dhe krijon me të një çift; dyllojësh. Format dysore të fjalëve (të
trajtave gramatikore).
DYSHIMOR
Që përmban një dyshim, që shpreh dyshim. Fjali dyshimore.
DYSHKRONJËSH
Shenjë grafike e përbërë nga dy shkronja, të cilat së bashku
shënojnë vetëm një tingull. Përdorën dyshkronjëshat.
Dyshkronjëshat e alfabetit të gjuhës shqipe (dh, gj, ll, nj, rr, sh,
th, xh, zh).
DYZANOR
1. Tog a grup prej dy zanoresh.
2. Diftong.
Që përbëhet prej dy zanoresh; që ka dy zanore njëra pranë
tjetrës. Tog dyzanor.
DHANORE
1. Rasa dhanore: rasa e tretë e lakimit në gjuhën shqipe. Emër
në rasën dhanore.
2. Rasa dhanore. Dhanore e shquar (e pashquar).
DHËMBOR
Që shqiptohet duke puqur majën e gjuhës e pjesën e
përparme të saj tek ana e pasme e dhëmbëve të sipërm (për
tinguj të tillë si d, t etj.). Tinguj dhëmbore. Bashkëtingëlloret
dhëmbore.
Fjalori i Gjuhësisë