Fjalori i Letersise shqiptare| Fjalor letrar

Fjalori i Letersise

-S-

SAGË
Këngë epike popullore ose legjendë e përhapur
sidomos në vendet skandinave e në Islandë në
mesjetën e hershme. Sagë historike. Saga të lashta.
Sagat norvegjeze (daneze).

SASI
Zgjatja e shqiptimit të një tingulli; zgjatja e
shqiptimit të një rrokjeje në një varg.

SATIRË
Vepër letrare ose shkrim, që fshikullon me anë të
ironisë së hidhur e therëse dhe të sarkazmit të metat,
veset e anët e tjera të dobëta të njerëzve a të
shoqërisë; vet. nj. gjinia letrare që përfshin këto vepra;
tërësia e veprave satirike të një autori.
Satirë e mprehtë (e ashpër, e hidhur, therëse). Satirat
e Çajupit. Shkroi një satirë.

SENDËRGJI
Diçka e krijuar me mjete të stërholluara, jo në mënyrë
të natyrshme e të vetvetishme; mjet i sajuar për të
zëvendësuar diçka të natyrshme ose për të mbuluar
ndonjë cen trupor etj.; sajim.
Stil plot me sendërgji, stil me shprehje të
panatyrshme, me stoli të tepruara

SENTIMENTAL
1. Që preket shumë shpejt në ndjenjat, tepër i
ndjeshëm. Njeri sentimental. Psherëtima sentimentale.
2. Që i kushtohet shumë botës së ndjenjave të
njeriut, që e përshkruan njeriun dhe natyrën me shumë
ndjenjë e zbukurime. Letërsia sentimentale. Roman
sentimental. Ndikime sentimentale.

SENTIMENTALIZËM
1. Vetia e njeriut sentimental, të qenët sentimental;
qëndrim tepër zemërbutë, që niset nga ndjenjat dhe jo
nga vlerësimi objektiv i realitetit.
2. Drejtim letrar i gjysmës së dytë të shekullit XVIII,
që e përqendronte tepër vëmendjen te pasqyrimi i jetës
së brendshme, i ndjenjave të njeriut dhe i natyrës, duke
i paraqitur gjërat në mënyrë të idealizuar.

SIMBOL
Figurë me domethënie të dyfishtë, në të cilën
përgjithësohen dukuri të rëndësishme të realitetit, që
mishërohen në mënyrë konkrete nëpërmjet heronjve,
ngjarjeve, sendeve etj.

SIMBOLIST
Që mbështetet në simbolizëm, që është
ithtar i simbolizmit; që krijohet sipas parimeve e
metodës së simbolizmit. Poet simbolist. Poezia
simboliste.

SINEKDOKË
Përdorimi i një fjale emërtuese duke i dhënë një kuptim
më të gjerë ose më të ngushtë, duke përmendur pjesën
për të tërën ose të tërën për pjesën, njëjësin për
shumësin etj. (p.sh. shqiptari në vend të shqiptarët,
fshati në vend të fshatarët etj.).

SINTAKSË
Sintaksa poetike, ndërtim i posaçëm i fjalisë për t`i
dhënë fuqi e gjallëri shprehjes.

SITUATË
Çaste të një vepre dramatike gjatë të cilave
veprimi merr tipare më të theksuara në një drejtim.
Situata komike (tragjike).

SKICË
Përshkrim i shkurtër faktesh e ngjarjesh, të
jetuara a të para drejtpërdrejt nga autori, që paraqiten
me një stil të thjeshtë e të rrjedhshëm, zakonisht në
shtypin periodik. Skicë letrare.

SONET
Vjershë lirike prej 14 vargjesh, e ndarë në katër strofa,
dy të parat prej katër vargjesh dhe dy të fundit prej tre
vargjesh, zakonisht njëmbëdhjetërrokësh e me rima të
gërshetuara në mënyra të ndryshme; tingëllimë.
Sonetet e Mjedës (e Serembes).

STIL
Tërësia e veçorive themelore ideoartistike, e
mjeteve dhe e mënyrave të shprehjes, që bien në sy në
krijimtarinë e një shkrimtari, të një artisti, të një rryme a
të një epoke dhe që përsëriten pak a shumë në një
sërë veprash. Stil romantik. Stil realist. Stili gotik. Stili
bizantin. Stili i arkitekturës popullore. Stili i epokës (i
kohës) sonë. Stili i Naim Frashërit (i Çajupit, i Migjenit).

STILISTIK
1. Që ka të bëjë me stilin, i stilit. Ngjyrime (veçori)
stilistike. Shtresimi stilistik.
Mjetet stilistike. Sinonime stilistike. Figurat stilistike.
Norma stilistike. Shënimet stilistike në fjalor.
2. Që ka të bëjë me stilistikën, që lidhet me stilistikën.

STROFË
Tufë prej disa vargjesh, të lidhura nga ana kuptimore
dhe shpesh me rimë ndërmjet tyre, nga të cilat
përbëhet një vjershë a një poemë. Strofë katërshe
(tetëshe). Strofa e parë dhe e fundit. Vjershë me
katër strofa. Mësoi dy strofa përmendsh.

Fjalori i Letersise

Comments
All comments.
Comments