Pas ngritjes online të fjalorit greqisht shqip, fjalor me 7500 fjalë ku të gjitha fjalët kanë shqiptimet përkatëse, Shqipopedia përfundoi gjithashtu edhe një punim shumë të rëndësishëm me fjalët e përbashkëta që kanë gjuha greke dhe shqipe. Për krijimin e kësaj liste të gjatë fjalësh është nevojitur shumë kohë pasi është punuar në një shtrirje të gjatë kohore e cila u përfundua tani. Me këtë punë ne iu vijmë në ndihmë të gjithë atyre që mësojnë greqisht në nivel fillestar apo të avancuar, atyre që e studjojnë këtë gjuhë, si dhe mësuesve dhe pedagogëve.
Është një nga listat më të kompletuara edhe pse nuk janë përfshirë të gjitha fjalët e mundshme pasi gjuha greke është një nga gjuhët bazë të gjuhëve perëndimore e botërore, e cila ka dhënë dhe vazhdon t’i japë botës një numër shumë të madh fjalësh pasi fjalët mund të zbërthehen dhe të japin kuptimin e tyre në thelb. Aftësitë e saj fjalëformuese e bëjnë atë një gjuhë shumë elastike dhe jashtëzakonisht të pasur.
Megjithatë, kjo punë përveç qëllimit studimor iu drejtohet atyre që e mësojnë greqisht, prandaj nuk janë përfshirë vetëm fjalët me orgjinë greke por edhe fjalë nga frëngjishtja, italishtja, anglishtja, persishtja, arabishtja, turqishtja etj.
Në shumicën e rasteve fjalët kanë kuptim identik, por ka dhe disa raste që kuptimi mund të jetë shumë i përafërt por edhe pak i ndryshëm. Për fjalët që kanë disa kuptime, nuk është e thënë që të gjitha kuptimet të jenë në të dyja gjuhët por vetëm përkthimi i shkruar.
Disa shembuj:
τσίκνα (cikna) në greqisht:
- οσμή από κρέας ή άλλο φαγητό που ψήνεται – aromë nga mishi apo ushqimi të piqet.
- οσμή από καμένο φαγητό – erë e ushqimit të djegur.
ciknë në shqip:
- Acar.
- Pjesa e djegur e gjellës a e qumështit, që është ngjitur në fund të enës.
Pra e njëjta fjalë në gjuhën shqipe përdoret vetëm kur digjet qumështi dhe zë fund tenxherja.
Shembull 2
τσιγαρίζω (cigarizo) në greqisht:
ψήνω σιγά σιγά σε καυτό λίπος, καβουρντίζω – pjek me ngadalë në yndyrë të nxehtë, kaurdis
cingaris në shqip:
fërgoj diçka derisa të skuqet fort e të thahet.
Pra në shembullin 2 shohim se ka ndryshim, pasi në greqisht ka kuptimin e skuqjes së ushqimit më pak, kurse në shqip ka kuptimin e skuqjes shumë fort.
Shembull 3
ντουντούκα (duduka) në greqisht:
κωνικός, μεταλλικός σωλήνας που δυναμώνει τη φωνή του ομιλητή, ώστε να ακούγεται σε μεγάλη απόσταση – tub konik metalik i cili përforcon zërin e folësit që të dëgjohet në distancë të largët.
duduk në shqip:
pipëz a zamare e bërë me lëvore shelgu ose me rabush qepe.
Pra edhe pse fjalët kanë të njëjtën rrënjë etimologjike nga fjala turke düdük (= fyell), fjalët e kanë ndryshuar kuptimin e tyre. Për të dhënë një ide më të mirë po bëjmë edhe ilustrimin e tyre.
Raste të tjera fjalësh janë, psh. nga anglishtja χιούμορ – humor, nga turqishtja χασάπης – kasap, nga greqishtja χαρακτήρας – karakter, nga italishtja μαρινάρω – marinoj, nga frëngjishtja μαριονέτα – marionetë, nga latinishtja μάσκα – maska etj.
Gjithashtu janë përfshirë edhe neologjisma, κομπιούτερ – kompjuter si dhe fjalë të vjetëruara τσερτσεβές – çerçive.
Përveç kësaj liste të gjatë fjalësh me mbi 4500 fjalë, Shqipopedia më parë ka postuar fjalët e përbashkëta me gjermanishten dhe fjalët e përbashkëta me italishten. Për të shkuar tek fjalët e përbashkëta me greqishten mund të vizitoni linkun e mëposhtëm fjalët e përbashkëta me greqishten.
P.s (Nuk janë përfshirë fjalët me orgjinë shqiptare pasi ato do të jenë në një artikull të veçantë)