LEGJENDË PËR KSOÇITL TONATIUN – Perralla per femije

Perralla per femije
LEGJENDË  PËR  KSOÇITL  TONATIUN

-Legjendë e indianëve të Meksikës

Perralla per femije

            Shumë vjet më parë, në një fshat të vogël jetonte vajza indiane me emrin Ksoçitl, që në gjuhën e indianëve do të thotë “lule”. Ksoçitla e donte shumë diellin, ajo, kënaqej duke e shikuar atë nga mëngjezi në mbrëmje. Kur dielli fshihej tej horizontit, ajo hynte në shtëpi dhe, duke eyënë gjumi, mendonte për diellin, për të nesërmen, që ta shihte përsëri atë.

            Atë verë Ksoçitla ishte mjaft e lumtur, se dielli shkëlqente përditë. Në qiell nuk kishte re, në tokë nuk binte asnjë pikë shi. Prej etjes varnin kokën lulet dhe bari, në fushë nuk po lidhte kalli gruri, hambarët ishin bosharisur, njerëzit vuanin prej urisë. Banorët e fshatit i luteshin qiellit për shi, por shi nuk kishte. Atëherë Ksoçitla e vogël e kuptoi se njerëzve u duhej shiu dhe i foli Tanatiut të saj të dashur, që në gjuhën e indianëve do të thotë “Diell”.

            -O Tonatiu, ti e di sa të dua uë, ti e di ç’lumturi është për mua të të shoh, të të admiroj, po njerëzve iu duhet shiu. Shiko sa vuajnë njerëzit, të të vijë keq për ta!

            Dhe Tonatiu e mori parasysh kërkesën e Ksoçitlës së vogël. Qilimi i reve mbuloi gjithë qiellin, dhe erdhi shiu. Ai ra shumë ditë. Fushat gjelbëruan, lulet dhe bari ngritën krye, njerëzit ishin të lumtur. Vetëm e varfëra Ksoçitl zbehej dhe brengosej përditë, se ajo për aq kohë nuk e kishte parë diellin! Dhe rrezet e diellit asaj i ishin më të nevojshme se çdo gjë tjetër në botë. Vajza tashmë ishte ligur shumë, papritur, përmes një reje të zezë u shfaq rrezja e diellit dhe ngrohu Ksoçitlën e saj të dashur. Ajo i tha:

            -Eja me mua, Ksoçitl, të shkojmë në vendin ku nuk perëndon dielli kurrë, në vendin ku lulëzojnë gjithmonë lulet. Pastaj emri yt do të jetë “Ksoçitl Tonatiu” – “Lule Dielli”

            Dhe vajza u shndërrua në një lule të bukur të artë, vetëm në mes ishte e zezë, si sytë dhe flokët e vajzës. Kjo lule që në agim drejtohet andej nga lind dielli, e pret atë të dalë dhe e ndjek pas.

Që nga ajo kohë, në fillim të vjeshtës, në fushat e Meksikës gjithmonë lulëzojnë lulet e arta, lulet tona të diellit, që në gjuhën e indinëve do të thotë Ksoçitl-Tonatiu.


Perralla per femije

Comments
All comments.
Comments