S’KA GOGOL

S’KA GOGOL

gogol

 

Një vashëz, të cilën e kishin trembur me gogol që kur ish e vogël, kish frikë të rrinte e të flinte vetëm.

Një natë, gruaja që flinte me të, ish ngritur që në mes të natës të bënte finjën* për të larë rroba të nesërmen.

Vashëza u zgjua, hodhi sytë rrotull dhomës me dritë të hënës, që hynte nga dritarja, pa që ish vetëm dhe në atë çast i ra ndërmend gogoli. Hodhi sytë me tmerr nga ana e derës dhe pa gogolin, që po qëndronte në këmbë, mbuluar me një napë gjer në fund të këmbëve. Vashës së gjorë i ngriu gjaku, mbuloi kryet dhe zu të thërriste sa kish zënë*. I dukesh sikur gogoli po qasesh, po e hiqte prej këmbëve, po ajo nuk guxonte të hapte sytë e të vështronte.

E ëma i dëgjoi gjithë ato të thirrura dhe u hodh nga shtrati e nxitoi ashtu me këmishë siç ishte, në dhomën e së bijës. Kur i shkoi pranë e gjeti qull në djersë.

-Ç’ke o ime bijë, – i tha, që thërret kaq?

Vasha nga tmerri s’fliste dot, po, si ndjeu t’ëmën pranë, i shkriu pak gjaku dhe nxorri kokën. Po në atë çast u tmerrua prapë dhe thirri:

-Ç’të kem , o mëma ime, ç’të kem! Nuk e sheh gogolin këtu brenda?

Atëherë e ëma u ngrit nga vendi me vrap, vajti ne dera, zgjati dorën, e mori një napë të varur pas derës, e cila zbardhëllonte nga drita e hënës, që kish rënë në dhomë, e përplasi atë përpara së bijës dhe i tha me zë të ashpër:

-Ky është gogoli yt.

Vasha u turpërua shumë dhe, kur pa të nesërmen që e ëma u sëmur keq nga të ftohtit, që mori natën, duke dalë vetëm me këmishë, bëri be që s’do t’i besonte më gogolit.

                                                           

S’KA GOGOL

SAMI  FRASHËRI

___
finjë = ujë i valuar me hi, që përdorej për të larë rrobat
sa kish zënë = me zë të lartë
napë = pëlhurë e bardhë e hollë

 
Perralla per femije
Comments
All comments.
Comments