Fjalori i insekteve/ kandrrave

Fjalori i insekteve

LËVOREBREJTËS
Që bren lëvoren e drurëve ose të pemëve. Krimba lëvorebrejtës. Kandërr lëvorebrejtëse. Kandërr a krimb që bren lëvoren e drurëve.

LËVRIZË
Krimb i gjatë me trup të shtypur, që jeton si parazit në zorrët e njerëzve; shirit.

LLALLË
Flutur, më e madhe se miza e zakonshme, e cila i bën vezët në zgjuan e bletëve dhe i detyron këto të largohen prej këtej. Llalla i prish bletët.

MILINGONË
Kandërr e vogël me ngjyrë të zezë, që rron me shumicë nëpër drurë, në fole të bëra në dhe etj.; mizë dheu, mizë përdhese, thnegël. Fole milingonash. E vogël sa një milingonë. Punon si milingonë. Lëvrijnë si milingonat.

MIZË
1. Kandërr fluturuese me një palë krahë të zhvilluar mirë dhe një palë të tjerë më të vegjël, që ka një thimth për të thithur ushqimin ose për të pickuar dhe që njihet si bartëse e sëmundjeve ngjitëse; emër i përgjithshëm për disa lloje kandrrash të tilla, me krahë ose pa krahë. Miza e bukur bleta. Miza e bardhë. Miza e verdhë. Miza e zezë. Mizë mjalti (blete) bleta. Mizë kali mizë në ngjyrë kafe, pak më e madhe se ajo e zakonshmja, që u qepet zakonisht kafshëve të barrës. Mizë lisi. Mizë pashke mollëkuqja. Miza e shtëpisë. Miza e mishit.
Miza e mushtit (e uthullës). Mizë fluturake. Mizë përdhese (mizë dheu, mizë toke) milingonë, thnegël. Miza cece. Miza e verës. Larva mizash.
2. Kandërr parazite në trajta të ndryshme e me ngjyra të shumëllojshme, që zhvillohet në trupin e disa bimëve bujqësore, të pemëve etj. dhe i dëmton ose u shkakton sëmundje të ndryshme; krimb. Miza e drithërave. Miza e duhanit. Miza e farave. Miza e fasules. Miza e grurit. Miza e pambukut. Miza e panxharit. Miza e thjerrëzës. Miza e lakrës. Miza e qepës. Miza e mollës. Miza e agrumeve. Miza e qershisë (e vishnjës). Miza e ullirit.

MOLË
Kandërr me dy palë krahë, që gjatë jetës së saj zhvillohet nga veza në larvë, në krimb e më pas në flutur, e cila bren sendet e leshta, gëzofët, drithërat, bimë të ndryshme etj.; tenjë. Mola e grurit (e drithërave). Mola e dyllit. Mola e mollës. Mola e qepës.

MOLLËKUQE
Kandërr e vogël, me trup në trajtë vezake dhe me dy palë krahë, nga të cilët dy të sipërmit janë të fortë, të kuq e kanë shtatë pika të zeza. (nusepashke)

MORR
1. Kandërr e vogël pa krahë, që rron si parazit te njerëz të papastër (në trup, sidomos në kokë, në rrobat, në shtresa e mbulesa), te disa kafshë e shpendë etj. Morri i kuq a) morr më i madh se morri i zakonshëm, që ka ngjyrë të verdhë të zbehtë dhe që shkakton sëmundjen e tifos së morrit;
2. Kandërr shumë e vogël, që shtohet shumë shpejt e që u bie bimëve të ndryshme dhe i dëmton ato, duke u thithur lëngun. Morri i zi. Morri i gjelbër. Morri i pjeshkës. Morri i trëndafilit. Morri i panxharit. Morri i drithërave. Morri i misrit.

MURGESHË
1. Kandërr fluturuese që e ndryshon ngjyrën sipas mjedisit, me trup shumë të gjatë, me kokën trekëndëshe e shumë të lëvizshme, me sy të dalë, me dy palë krahë të hollë, me të cilët, duke i fërkuar bën një zhurmë.
2. Flutur e madhe me shirita të zinj e njolla të zeza në krahë dhe në bark, vemja e së cilës njihet si dëmtues i drurëve e sidomos i pishave.

MUSHKONJË
Kandërr e vogël, me trup të hollë, me një palë krahë, me këmbë të gjata dhe me një thumb në turi, që rri zakonisht pranë pellgjeve e në vende moçalore dhe që të pickon, thith gjakun e mund të përhapë sëmundje të ndryshme. Mushkonja e zakonshme. Mushkonja e malaries anofele.

Fjalori i insekteve

Comments
All comments.
Comments

  1. erza

    fjalor vertet i mire