ABETARET E GJUHËS SHQIPE

ABETARET E GJUHËS SHQIPE

ΠΡΟΧΕΙΡΟΝ ΑΛΒΑΝΙΚΟΝ ΑΛΦΑΒΗΤΑΡΙΟΝ Abetare Provizore Shqiptare – Naum Veqilharxhi

Libra fillestarë, që përdoren për të mësuar leximin e shkrimin e shqipes. Për shkak të rrethanave të krijuara nga pushtimet e huaja, ato zënë vend të veçantë në historinë e arsimit e të kulturës shqiptare. Veprimtarët dhe përfaqësuesit më të shquar të lëvizjes për çlirimin kombëtar janë marrë me përpilimin e abetareve, të cilat shërbenin edhe për edukimin patriotik dhe ngjalljen e dashurisë për gjuhën amtare.

E para abetare që njohim u përgatit nga një figurë e shquar si Naum Veqilharxhi. U botua më 1844 me titull Fort i shkurtër e i përdorshëm Ëvetar shqip dhe me një parathënie, që ishte programi i parë kulturor-arsimor i Rilindjes Kombëtare. U ribotua më 1845 me titullin Fare i ri Ëvetar shqip për djem nismëtarë, me 50 faqe dhe me disa copa leximi. Punën e tij e vijoi Kostandin Kristoforidhi, i cili më 1887 botoi një abetare gegërisht dhe një toskërisht, i ribotoi më pas dhe u mësoi me to shqipen shumë bashkatdhetarëve gjatë udhëtimeve nëpër Shqipëri. Në periudhën e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit si pjesë përbërëse e programit të lë- vizjes kombëtare u përgatit dhe u botua nga Jani Vreto, Sami Frashëri, Pashko Vasa e Koti Hoxhi Alfabetarja e gjuhës shqip (Stamboll, 1879). Me të u hap një epokë e re për librat shkollorë dhe u përgatit trualli për shkollën kombëtare. Abetarja jep edhe njohuri gjuhësore, përmban copa këndimi, vjersha, njohuri mbi natyrën, historinë e vendit tonë etj. duke bërë një hap të ri edhe për përmbajtjen, ndërtimin e trajtimin e lëndës. Gjatë shekullit XIX abetare për nxënës dhe të rritur në të dy dialektet dhe me pjesë këndimi, historike etj. janë botuar edhe nga autorë të tjerë (Daut Boriçi, Anastas Kullurioti etj.).

Me afrimin e Pavarësisë numri i librave të tillë u shtua: Luigj Gurakuqi botoi Abetari për Msoitore Filltare t’Shqypniis (Napoli, 1905) dhe Abetar i vogël shcyp mes abevet ’Bashkimit e t’Stam- bollit, (Bukuresht, 1906), Parashqevi Qiriazi botoi në Manastir më  1909 Abetare për shkollat e para, po atë vit u botuan në Paris Stërvitjetoria e Nikolla Lakos, më 1911 ajo e Simon Shuteriqit etj. Më vonë punuan në këtë fushë Aleksandër Xhuvani, Thoma Papapano, Mati Logoreci, Jani Minga, Lazër Lumezi etj. duke krijuar kështu një traditë të mirë.

ABETARET E GJUHËS SHQIPE –  (Sh. O.)

Comments
All comments.
Comments