FILI*

perralla per femije
 
 
            Fili është një katërkëmbësh fort i madh, po sa e ka trupin të trashë e të rëndë aq, thonë,  e ka mendjen të hollë. Gjëndet në mes të Afrikës, në Indi e në Kinë. Nëpër malet e fushat e anëve të lumenjve të mëdhenj shëtitin në tufë. Ca i zënë e i mësojnë për të hipur, u vënë një qoshk* mbi kurriz, në të cilën mund të hyjnë pesë gjashtë njerëz, edhe nja dy njerëz u hipin në mes të dy veshëve. Në malet e larta të Tibetit, në mes të Azisë qënka një guvë* e gjerë shumë, që i thënkëshin Guvë e Filit. Filët kur plaken tepër, e kuptojnë që u afroi vdekja, venë e hyjnë në atë guvë, dhe qëndrojnë atje gjer sa ngardhin. Ajo guvë është plot eshtra fili, edhe jashtë saj asaj gjëkundi s’duket as kërma as eshtra të kësaj shtaze.
Një fil që e ruanin në kopështin e shtazëve, ju keqësua* një ditë rojtësit të tij e shkeli dhe e shtypi. E shoqja e rojtësit, që u ndodh atje me të dy bijtë e vegjël, u helmua keq nga vrasja e të shoqit edhe nga hidhërimi s’diti ç’të bënte, por i hodhi të dy djemtë, u hodh edhe vetë përpara filit, duke thirrur: “Si ma vrave tim shoq e më le me këta të varfër, shtypna dhe neve, se s’ka kush të na ushqejë”.
Fili atë çast e kuptoi fajin që kishte bërë edhe zgjati feçkën e gjatë, që e ka në vend të dorës, e zuri djalin e madh, që ish tetë vjeç, e ngriti,  e vuri përmbi kokë, duke treguar që këtë e njohu për zot, për të shpërblyer të keqen që i bëri atyre. Rrëfejnë se që nga ajo ditë e pastaj nuk desh të dëgjonte ndonjë ruajtës, përveç atij djali të vogël, të cilit i vinte pas si manar.
                                               
SAMI FRASHËRI
_______

fili = elefanti
qoshk = tip samari
guvë = shpellë
ju keqësua = u ëgërsua kundër dikujt


Fili
Perralla per femije

Comments
All comments.
Comments