FSHATARI DHE ZOTËRINJTË

FSHATARI DHE ZOTËRINJTË

 
perralla per femije

-Përrallë popullore spanjolle-

Në një fshat të humbur, që ndodhej larg kryeqytetit, jetonte një fshatar, i cili nuk e kishte parë kurrë mbretin. Mendonte se mbreti nuk duhet të ngjante fare me njerëzit e tjerë. Gjithë jetën ëndërronte ta shihte me sytë e tij. Një ditë prej ditësh i tha së shoqes:

-Dëgjomë, Mariana, unë dua të shkoj në kryeqytet për të parë mbretin.

-Ti, duket, je çmendur, -iu përgjegj gruaja. – Për këtë budallallëk kërkon të na prishësh të hollat e fundit! Hiqe nga mendja!

-Po mua më duhet të ndodhem me patjetër në kryeqytet. Dua të shkul këtë dhëmb të mallkuar, që më dhemb shumë, -nguli këmbë burri.

Dhe iu lut gruas gjatë për ta lejuar. Ajo më në fund nuk kundërshtoi më.

Fshatari, i gëzuar, u nis për udhë. Kryeqyteti ishte larg. Rrugës ai i harxhoi pothuaj të gjitha të hollat. Më në fund arriti në kryeqytet dhe po atë ditë pa mbretin, kur po dilte nga kisha.

“Ç’budalla paskam qenë unë, -mendoi fshatari. –Mbreti qenka njeri, ashtu si unë, si gjithë të tjerët! Pse për këtë i humba të hollat?”

Ai hapi kuletën dhe pa se nl tl i kishte mbetur një gjysmë real*. Ai ishte shumë i uritur dhe, më e keqja i dhimbte dhëmbi më shumë se çdo herë tjetër. I këputur prej lodhjes dhe urisë, fshatari qëndroi pranë shitësit të petullave dhe filloi të mendojë: “Nëse do të shkul dhëmbin, mua më duhet t’i jap dentistit gjysmën e realit të fundit. Po të prish të hollat për petulla, dhëmbi do të më dhëmbë më shumë dhe nuk do të kem fuqi të arrij në shtëpi. Si t’ia bëj?”

Mendoi ai, mendoi, po nuk përfundoi dot se ç’duhet të bënte. Në këtë kohë, pranë tij kaluan dy zotërinj. Për t’u tallur, e ngacmuan.

-Pa dëgjo mor ti! – iu drejtuan ata fshatarit. –Sa petulla ha përnjëherësh?

-Unë? Më shumë shumë se njëqind!

-Më shumë se njëqind? – qeshën zotërinjtë. – Askush nuk ha dot kaq.

-Askush?! Unë i ha!

Përreth u mbodhën njerëz. Njëri prej zotërinjve i thotë fshatarit:

-Pse të bëjmë fjalë, e vëmë me bast?

-Pse jo? Dhe ja: nëse nuk do të ha më shumë se njëqind petulla, shkulmëni dhëmbin e parë që do t’ju qëllojë, të paktën këtë, – tha fshatari, duke treguar dhëmbin e sëmurë.

Zotërinjtë, duke u tallur, pranuan kushtin dhe fshatari nisi të hajë. Pasi hëngri sa u ngop, tha:

-Më shumë nuk mundem, zotërinj, unë e humba bastin.

Të gjithë përreth filluan të qeshnin. Zotërinjtë, shumë të kënaqur për fitoren, thirrën dentistin dhe i thanë :

–         I nxirr këtij fshatari, ja, këtë dhëmb.

Fshatari u ngrys në fytyrë kurse zotërinjtë filluan të talleshin më shumë. Dentisti pranoi t’i hiqte dhëmbin. Fshatari rënkonte, thërriste dhe në çdo thirrje zotërinjtë i përgjigjeshin me të qeshura të forta. Më në fund kur dhëmbi ishte nxjerrë, zotërinjtë paguan shitësin e petullave dhe dentistin dhe iu drejtuan turmës së mbedhur:

-A keni parë ju më budalla budalla se ky fshatar? Për disa petulla ai shkuli dhëmbin!

-Në qoftë se ndokush prej nesh është budalla, jeni ju zotërinj, – u përgjegj fshatari. – Ju qeshët për petullat, të cilat unë i hëngra me oreks; më shkulët dhëmbin, i cili prej kohësh më dhimbte. Ju më shpëtuat prej dy të këqijave: prej urisë dhe dhëmbit të sëmurë.Mua më kishte mbetur vetëm një gjysmë reali.

Turma përreth tashmë filloi të përqeshte zotërinjtë. Dhe zotërinjtë, të tallur dhe të turpëruar, shpejtuan të humbisnin midis turmës.

_____

real = monedhë spanjolle

 

 FSHATARI DHE ZOTËRINJTË

Perralla per femije

Comments
All comments.
Comments