SI KËRKOI MACJA NJË SHOK
-Përrallë somaleze-
Na ishte dikur një mace. “Unë jam e vogël, e dobët, -u ankua, – duhet të gjej një shok të fuqishëm”.
U mendua, u mendua macja dhe e gjeti: “Po shkoj te luani”
-Luan, unë dua të zë shoqëri me ty.
-Mirë, – i tha luani.
Shumë ditë jetuan të miqësuar luani dhe macja. Po një herë miqtë takuan elefantin. Elefanti. Pa e vështruar fare macen, filloi të grindet me luanin. Dhe elefanti fitoi, e mundi atë. “Dhe unë mendoja se luani është i fuqishëm! – tha macja me vete. –Jo, elefanti qenka më i fuqishëm”. Ajo iu afrua elefentit.
-Unë dëshiroj të miqësohem me ty.
-Mirë, -i tha elefanti.
Dhe ata jetuan në miqësi gjersa takuan gjahtarin, i cili vrau elefantin. “Ai e vrau shokun tim, -mori frymë macja. –Ai është më i fuqishëm.” Dhe macja vrapoi pas gjahtarit.
-Zotni, dua të eci me ju, pas gjurmëve të tua.
-Mirë, shkojmë.
Ecën, ecën dhe arritën në kasollen e gjahtarit. Në prag u doli një grua. Ajo mori prej duarve të gjahtarit heshtën, hoqi nga supet e tij harkun, i zbërthu rripin e mesit, i mori trastën, ku kishte shigjetat, dhe të gjitha këto i futi në kasolle.
-Ama ky qënka burri!? Ai i dha gruas armët e veta! Ai u ul, ndërsa gruaja shkonte e vinte rreth tij, i jepte për të ngrënë e për të pirë.
“Gruaja ja kush qënka me të vërtetë më e fuqishmja!” – e zgjidhi çështjen më në fund macja. Ajo shkoi pas gjurmëve të gruas në kasolle dhe u ul te vatra.
Ti e shikon, edhe sot e kësaj dite macja përkul shpinën, duke parë gruan, i mjaullit këngët e saj gruas. Kurse burrit ajo as nuk i hedh sytë.