SOLONI DHE KRISUA

SOLONI  DHE  KRISUA

perralla per femije

 

 

Soloni ish një i urtë* në Greqi të moçme. Një herë tek shëtiste në Azi të vogël, i ra udha në Sarde, një qytet i vjetër, ku mbretëronte Krisua, i pasur shumë, me gjë të tepër. Krisua e thirri të urtin e Greqisë edhe i tregoi të gjitha begatitë e tij, që kishte, pastaj i tha:
-Kë ke parë më të lumtur mbi dhè?
Këtë pyetje ja bëri, duke pasur shpresë t’i thoshte se s’kishte më të lumtur se ai, që kishte gjithë këto begati. Por i urti u mendua pak dhe i tha:
-Më të lumtur në të gjithë kohën kam parë një plak, që rrojti shumë kohë, duke u mbajtur me shëndet e me dorë e këmbë, bëri shumë fëmijë, të gjithë të prokopsur* i martoi të gjithë, pa edhe niprit e stërniprit; sa rrojti s’hoqi ndonjë gjë të keqe e ndonjë hidhërim, dhe kur vdiq, i la të gjithë pas.
Krisua u çudit edhe u zemërua, kur pa që Soloni bënte më të lumtur këtë plak se atë vetë, që kish gjithë ato të mira; po, duke patur shpresë të numërohet i dyti pas atij, e pyeti përsëri:
-E po pas atij, kë ka parë të lumtur?
-Pas atij, – iu përgjegj Soloni, -kam parë dy vëllezër shumë të fortë dhe trima, të cilët kishin një mëmë që e donin fort. Një ditë, që ish e kremte e madhe, kushdo shpinte t’ëmëm me qerre tek vendi i të falurit; këtyre të dy vëllezërve s’u erdhën qetë në kohë nga ara; ata hynë vetë nën zgjedhë të qerres dhe e shpunë t’ëmën tek vinin të gjitha mëmat. Atje gjithë burrat i lavdëruan këta dy vëllezër edhe u çuditën nga fuqia e tyre; edhe të gjithë gratë u mbodhën rrotull s’ëmës së tyre, e i thoshin:
-Si lumja ti, moj zonjë, që kë këta dy djem kaq trima e të fortë, e që të duan e të nderojnë kaq!…
Krisua më s’duroi dot, po i thirri:
-E po mua, me gjithë këtë gjë e këto begati, nuk më zë fare për të lumtur?
-Jeta e njeriut, – i tha Soloni, – është shtatëdhjetë vjet e sipër, a më pak; çdo orë e çdo ditë e jetës s’i ngjan njëra tjetrës; një njeri që e sheh sot të lumtur, nesër mund të bëhet më i mjeri i botës, edhe njërëzit s’bëhen të lumtur vetëm me pasje, se shumë të parë* janë aq të mjerë, sa u kanë zili të varfërve. Prandaj, pa parë fundin e jetës sate, s’mund të them se je i lumtur.
Krisua s’e pëlqeu këtë fjalë edhe më s’i vuri veshin të urtit. Por pa shkuar shumë kohë, fjalët e Solonit duallën.
Krisua kish dy djem: i madhi ish i shurdhër e memec, i vogli ish i mençëm e trim. Papritur në një gjah derrash iu vra biri i vogël, e mbet me djalin e shurdhër dhe memec. Si shkoi edhe ca kohë, Kyrua, mbreti i madh i Persisë, bëri luftë me Krison, e mundi, e zuri të gjallë edhe urdhëroi të bënin një stavë me dru, ta hipnin Krison mbi të edhe ti vinin zjarr së poshtmi.
Kur pa Krisua që humbi gjithë begatinë e mbretërinë e tij, dhe që do të digjesh e do të vdiste me tmerr, thirri tri herë
-Solon! Solon! Solon!
Kyrua e pyeti se cili ishte ky Soloni, Krisua i rrëfeu fjalët, që i kish thënë Soloni. Kyrua i pëlqeu këto fjalë, i erdhi keq, edhe urdhëroi që ta zbrisnin Krison nga stava e druve, tek e kish zënë flaka, e i dhuroi jetën.
                                   
SAMI  FRASHËRI
______

i urtë = i mençur
i prokopsur = i mbarë
i parë = i pasur


SOLONI DHE KRISUA
Perralla per femije

Comments
All comments.
Comments