DIT’E RE
DIT’E RE

DIT’E RE

DIT’E RE
Sot është një dit’e rëzë që përsëritet moti,
Lint vera, lint ngrohtësija, lint Aliu vetë Zoti.
Është një dit’e bekuar, që rrjedh qiejshit bukurija,
Del në sheshi Zot’i vërtetë, rrëfen fytyrën e tija.
Ngjallen të vdekurit gjithë, mal’e fusha gjelbërojnë,
Qielli qesh, dheu gëzohet, dhe lulet lulëzojnë.
Thonë dimëri na prishi, po s’na humbi dot për jetë,
Erdhi kjo dit’e na gjeti, nuk’e la dhenë të shkretë.
Qielli ësht ndrituar edhe bërë si pasqyrë,
Dheu është zbukuruar, bërë fytyrë fytyrë.
Veshur në bar e në lule edhe në gjethe në fletë,
Bukuri e Perëndisë ka dal’e duket në jetë.
Ujërat po burojnë, dhe venë duke kënduar,
S’shoh gjësendi të pëlyrur, gjithë janë lar e ndruar.
Shqerratë po blegërijnë, edhe mëmate kërkojnë,
Zoqtë nër gjethe lëvrijnë, dhe këndojn’e fluturojnë.
Gjithë ç’janë ngjallen, çelen, përsëriten, zbukurohen,
Duhen, qeshin, rrojnë, prehen edhe këndojn’e gëzohen.
Lint Aliu, çfaqet dita, del Zoti, vjen e vërteta,
Mbleron dheut ëmbëlsira, edhe rojit po si bleta.
Në këtë gosti të Zotit gjithë bota janë ftuar,
Të bëhen një shpirt një trup e të jenë të pajtuar.
Është dit’e dashurisë, ditë e vëllazërisë,
Dit’e mbarë e gëzimit, dit’e bardhë e miqësisë.
njeri! paskëtaj kurrë fjalë të ligë mos thuash,
Po përshëndosh gjithë ç’janë, thuaj gëzuash! gëzuash!

DIT’E RE
Lulet e Veres
nga
NAIM FRASHERI

Poezi per femije 
____________________________________
 
Comments
All comments.
Comments