TË VDEKURITË

TË VDEKURITË

përqafim
Jakë, mejtim, jakë,
Dua të mejtohem,
Të rri të qetohem,
Edhe të qanj pakë.
moj koh’ e shkuar,
Kurdo që të kujtonj,
Përsëri e lëndonj,
Zemrën e lënduar.
Vallë ku na vanë,
Gjithë ata shokë,
Q’i patëm mi kokë
Ku jan’, ah! ku janë?
Qysh humpnë për jetë,
Edhe më s’i pamë?
Ah! me ’ta pse s’vamë
Na lanë të shkretë!
Kur ishin të gjallë,
Sa shumë i donim,
Me një shpresë rronim!
Si të mundim vallë?
Pa qysh t’i harrojmë?
Zëmra s’na duron
Shpirti ndaj kërkon,
Pa ’ta si të rrojmë?
Të gjith’ një qemë,
E një zëmër kishim,
Gjithë në shpirt ishim,
Neve pas pse mbemë?
Të shumët’ u ndanë,
Po vallë ku vanë?
Për jet’ u mërguan?
A po u ndryshuan?
Ndër sy po më rrinë!
Ah! sikundër qenë,
Më vjen sikur flenë,
Pandeh se do vinë.
I kam ndër mënt dhe sot
Me shtat, me fytyrë,
E zeza mynxyrë!
Të arthtë keq, o Zot!
Më vjen shumë herë
Sikundër do të vinë,
Të gjejnë shtëpinë
Ata dhe një herë.
Të na përqafojnë,
E diç të na thonë,
Si kishim zakone,
Dhe me ne të rrojnë!
Po kur më kujtohet,
Që janë të vdekur,
Në dhet janë tretur,
Zëmra më tmerohet.
I kemi mbuluar,
Ah! në dhet të shkretë,
Njeriu në jetë
Lintka për të vuar!
Lint me ngasherime,
Rron me hidhërime,
Heq shumë mundime,
Vdes me psherëtime,
Dhe gjer sa të vdesë,
Rrihet e përpiqet,
Kurrë nuk’ i hiqet
Dhe e shkreta shpresë.
Zëmra na ’është vrarë,
Dy copa ’shtë bërë
S’e kemi të tërë,
Se dy është çarë.
Një copë ka shkuar
Dhe ka zënë varrë,
Ng’ ata është ndarë,
Ndë dhë ’shtë mbuluar,
Zot i vërtetë!
Me sa hidhërime
E me ç’mallëngjime
Rron njeriu n’jetë!
Të dashurit tanë
Dheut krahët shtruan!
Na e përvëluan
Zemrën, na e ndanë.
I kemi mbuluar
Po shpirti që s’vdes,
S’ka mbrëm’ e mëngjes,
Ku ka fluturuar?
Se vdekja s’e zë dot,
Po ku vallë qëndroj?
Në burimt të tij shkoj,
A, tek i madhi Zot?
Si lumi që këlthet
Me shum’ oshëtimë
E me ulërimë
Vete prapë në det.
Munt të na bashkojnë
Krahëthit’ e vdekjes,
Ku ’shtë vënd’ i pjekjes,
Ndër ’ta të na çojnë.
Këtu duhet besa,
Mendje pa pusho,
Se zëmra m’a do,
Dhe s’më pritet shpresa.
Kush dha hidhërimnë,
Na dhuroj dhe besën,
E të kemi shpresën,
Kur heqim mundimnë.
U kam shumë mallë,
Këtu më s’i shoh dot,
Shpreh nek i madhi Zot,
Do t’i gjenj të gjallë.
Vdekja po na thërret!
Sado të mënojmë,
Varr’ i ftohtë na pret,
Atje do të shkojmë!
Si lum ajy që rron
Njeri i vërtetë
Në jetë të shkretë,
E shpirtin s’e helmon.
Pa lulet q’u-thanë,
E nuk’ i shohëm sot,
Vinë prapë mot,
Shpirtin gjali’ e kanë.

Lulet e Veres
nga
NAIM FRASHERI

Poezi per femije 
____________________________________
 
Comments
All comments.
Comments