TRADHËTORËT
TRADHËTORËT

TRADHËTORËT

TRADHËTORËT
Shokë! kemi në mest tënë
Shum’ armiq’ e tradhëtorë!
Popo! mos u qoftë thënë!
Veç që s’kanë gjë në dorë!
Haruanë Mëmëdhenë!
Dh’ e lanë kombinë tënë!
E një tjetërë na gjënë!
Popc! mos u qoftë dhënë!
Lanë Zonjën’ e lëvduar!
E zunë një kurvë shtrigë!
Të ndyr’ e të mallëkuar!
Të fëlliqur’ e të ligë!
Lanë Mëmënë të çveshur!
Dhe mundohenë për botë!
Pa dhe bota duke qeshur
U thotë, mundohi kotë!
Qysh u bënë Efialtë!
E nuk’ e njohin të mirën,
Uthullën pandehin mjaltë
Edhe dritë errësirën!
Buk’ e Mëmëdheut i zëntë!
Tradhëtorët’ e pabesë,
Dhe Zoti dërmën u-dhëntë,
Kurrë mos paçinë pjesë!
Miqt’ armiq i kanë bërë!
Armiketë miq i zunë!
Qysh janë fyell të tërë!
Ç’është kjo e madhe punë!
Fajn’ e madh kur do t’a njohin
Njerëzit e mallëkuar?
Dritënë pse nuk’ e shohin?
Apo janë të verbuar?
Janë së gjithash të marrë!
Dhe të liq me të vërtetë,
Mëmëdheut bëjnë varrë,
Po do të bienë vetë.
Se mbretëron e vërteta,
S’del kurrë gënjeshtr’ e shkretë,
T’ish ashtu, qe prishur jeta,
S’kish mbetur gjë e vërtetë.
Ata turpinë fitojnë
Nder’ e tyre posht’ e hedhin,
Dhe armikëtë gëzojnë
E në errësirët bredhin.
Nuk’ është kurrë harruar
E mira dh’ e lig’ e shkretë,
Të gjitha janë paguar,
S’ka mbetur gjë në jetë.
Lerini, pa do t’a gjejnë
Të vërtetën do t’a njohin,
Se tani s’e dinë ç’bëjnë,
Jan’ të verbër’ e nuk shohin.
O! popo, ç’turp kanë marrë!
Janë bërë tradhëtorë!
Dhe s’janë më Shqipëtarë
Se nga kombi hoqnë dorë!
Me të huajnë u-bënë!
Me armikn’ e Shqipërisë!
S’duanë gjuhënë tënë
Armikëtë e Perëndisë!
Ndjej’ o Zot se nukë dinë
Se ç’bëjnë, janë mahnitur,
Rrahin të prishin shtëpinë!
Pun’ e lig’ edh’ e mërzitur.
Të gjorët janë në gjumë!
Të vërtetënë s’e dinë,
Do të mundohenë shumë,
Pastaj mëntë do t’u vinë.
Vëllazërin’ e harrojnë
Dhe kombin e mëmëdhenë
Dhe armikëtë dëgjojnë!
Edhe s’dinë se ku venë!
Hiqni dorë, hiqni dorë!
Mblidhni mënt’ e turpërohi,
Mos u-bëni tradhëtorë
Se pastaj do të pendohi.

 TRADHËTORËT
Lulet e Veres
nga
NAIM FRASHERI

Poezi per femije 
____________________________________
 
Comments
All comments.
Comments