FJALORI I KUZHINES
GERMA M
MAJONEZË
Salcë si krem që bëhet me të verdhën e vezës të rrahur me vaj ulliri e me lëng
limoni a me uthull. Majonezë e trashë (e hollë). Peshk me majonezë. Sallatë
me majonezë.
MATUR
Ëmbëlsirë e përgatitur me miell, sheqer, gjalpë ose vaj dhe me ujë në të njëjtën
masë, që, pasi zihet, shtrohet në tepsi dhe piqet në furrë a në saç.
MAZË
Gatesë e përgatitur me miell misri të skuqur në gjalpë e me ujë të valë,
së cilës i shtihet edhe djathë ose mjaltë.
MBUSHJE
Iç.
MBUSHUR
Që është gërryer e pastruar nga brenda dhe i është shtënë në zbrazëtinë e krijuar
mish, oriz, erëza etj. Domate të mbushura. Patëllxhanë (speca, kunguj) të mbushur.
MESNIK
1. Byrek me copa mishi e me petë të pjekura në mes.
2. Tavë e përgatitur me të brendshmet e berrave dhe me oriz; gjellë me mish e
me oriz.
MEZE
Ushqim i thatë me gjëra të kripura, si qofte, djathë, sallam, mëlçi, ullinj,
vezë të ziera, sallatë etj., që shtrohet e hahet gjatë pijes, zakonisht para buke.
MËMËLIGË
Gatesë me miell misri, që përgatitet duke e zier dalëngadalë në ujë të valuar e duke e trazuar deri sa të trashet dhe pastaj përvëlohet zakonisht me gjalpë; përvëlak, bishtalug, kaçamak. Mëmëligë misri. Mëmëligë me gjalpë.
MUSAKA
1. Gjellë që bëhet zakonisht me patate e me mish të grirë, me qepë, me erëza e me vezë dhe që piqet në furrë. Musaka me patate. Musaka me patëllxhanë.
2. përd. mb. Që gatuhet zakonisht me mish të grirë, me qepë, me erëza e me
vezë dhe që piqet në furrë. Patate (kungulleshka, patëllxhanë) musaka.