Fjalori i Arteve – FJALORI I ARTIT

FJALORI I ARTEVE

GERMA G

GOTIK
Që është bërë a ndërtuar sipas një stili të përhapur në mesjetën e
vonë në Evropën Perëndimore, për të cilin ishin karakteristike
harqet jo të rrumbullakëta, por të thyera me një kënd në mes,
kubetë e larta që mbaronin nga jashtë me maja të gjata, të mprehta
e të gdhendura, dritaret e mëdha me xhama shumëngjyrësh dhe
zbukurimet e imëta e të ndërlikuara, të gdhendura sidomos në gur;
që i përket këtij stili ndërtimi e zbukurimi. Arti gotik. Stili gotik.
Harqet gotike.
Shkrimi (alfabeti) gotik alfabet a lloj shkrimi me shkronja latine të
drejta, me kënde e me maja të mprehta, i cili është përdorur nga
mesjeta deri në shekullin tonë në Gjermani e në disa vende të tjera.

GRAFIK
Që ka të bëjë me grafikën, që i përket grafikës, i grafikës. Artet
grafike. Ekspozitë (punime) grafike. Stil grafik.

GRAFIKË
Gjini në artet figurative që i paraqet sendet, njerëzit etj. me
anë vijash të holla e të trasha, pa përdorur ngjyra; vepër në
pikturë, që është punuar sipas kërkesave të kësaj gjinie; përmb.
tërësia e këtyre veprave. Grafikë e lirë (e zbatuar). Grafika
shqiptare. Ekspozita e grafikës.

GRAVURË
1. Arti i gdhendjes mbi sipërfaqen e sheshtë të një sendi të fortë
(prej metali, guri, druri etj.) me anën e një dalte a të lëndëve
kimike, për ta zbukuruar atë, për ta përdorur për riprodhimin e një
vepre grafike etj. Gravurë në gur (në dru, në metal, në shkëmb).
2. Vizatim a mbishkrim i gdhendur në sipërfaqen e sheshtë të një
sendi të tillë, si edhe riprodhimi i tij në letër; tërësia e veprave të
këtij lloji. Gravurë e bukur. Gravurë me ngjyra. Ekspozita e gravurës.

GROTESK
1. Mënyrë e paraqitjes artistike të gjërave reale e të dukurive të jetës
duke i zmadhuar tepër e me qëllim disa anë të tyre, duke dhënë
kontraste të forta e të papritura ose figurë artistike e krijuar në këtë
mënyrë; vepër letrare ose artistike ku përdoret kjo mënyrë.
Mjeshtër i groteskut. E ka çuar deri në grotesk.
2. Që ka të bëjë me groteskun, që është krijuar me mënyrat e
groteskut. Figurë (karikaturë) groteske. Personazh grotesk.
Komedi groteske. Stil grotesk. Në mënyrë groteske.

GERMA GJ

GJINI
Nënndarje në letërsi e në arte, që përfshin vepra të cilat kanë një varg
tiparesh dalluese të përbashkëta, si mënyrën e pasqyrimit të realitetit
e të ndërtimit të subjektit, stilin, gjuhën etj. Gjinitë letrare eposi, lirika,
drama. Gjinitë muzikore. Gjini lirike (epike).

FJALORI I ARTEVE

Comments
All comments.
Comments

  1. Anonymous

    Nisme e mire & kopertine e bukur.
    Dhe pse nuk eshte e plote shume faleminderit.