Fjalori i Historise – Fjalor Historik

Fjalor Historik

cens
CENS
Regjistrimi që i bëhej çdo pesë vjet pasurisë së qytetarëve në Romën e lashtë për t’i ndarë në kategori, sipas të cilave paguheshin taksat. Viti i censit. Bëhej censi.

CENSOR

Zyrtar i lartë në Romën e lashtë, që drejtonte regjistrimin e vlerësimin e pasurisë së qytetarëve për vjeljen e taksave dhe mbikëqyrte sjelljen e qytetarëve.

CENTURIE

1. Njësi prej njëqind ushtarësh kalorës në Romën e lashtë; qindëshe. Centuriet e kohortës.

2. Grup prej njëqind qytetarësh në Romën e lashtë, i krijuar në ndarjen e popullsisë sipas censit të pasurisë për qëllime politike e administrative; qindëshe.

CENTURION

Komandant i një centurieje në ushtrinë e Romës së lashtë; komandant i qindëshes, kryeqindës.

CINIK

1. Pasues i cinizmit, ithtar i cinizmit në Greqinë e vjetër.

2. Njeri që përbuz e tall normat e moralit të shoqërisë, njeri cinik.

CINIZËM

Doktrinë filozofike (në Greqinë e vjetër), e cila predikonte mospërfilljen dhe përbuzjen e hapët të zakoneve, të normave të njohura shoqërore e të kulturës, pavarësinë e njeriut nga bota që e rrethon, kthimin në gjendjen primitive dhe asketizmin, për të ruajtur, sipas kësaj doktrinë, virtytin.

CITADELË

Kështjellë në vend të ngritur nga mund të vështrohej një qytet, që duhej mbrojtur; pjesë e përforcuar brenda mureve të një kështjellë, që shërbente si mbështetja e fundit gjatë sulmeve.

ÇAUSH

1. Nënoficer me gradën e rreshterit në ushtrinë e Perandorisë osmane. Çaush këmbësor (kalorës).

2. Ushtarak pranë një oficeri të lartë ose një komandanti për të kryer detyra të ndryshme. Çaushët ngrinin çadrat.

3. Polic bashkie në Shqipëri para Çlirimit.

4. Kryepunëtor në punë botore para Çlirimit

ÇELNIKATË

1. Bashkimi i disa barinjve shtegtarë me një çelnik në krye për t’i kullotur tufat e tyre e për të punuar bulmetin bashkërisht.

2. Taksë që u paguanin bejlerëve barinjtë shtegtarë për kullotën.

ÇETË

1. Grup i vogël njerëzish të armatosur me një kryetar a komandant në krye, që kryejnë veprime të përbashkëta. Çetat e kreshnikëve. Çetë luftëtarësh.

2. Njësi e vogël partizanësh me rreth pesëdhjetë veta, me një komandant dhe një komisar në krye, gjatë Luftës Nacionalçlirimtare. Çetë partizane.

ÇIFÇI

Bujk pa tokë, që punonte një copë nga pronat e çifligarit dhe që mbante për vete vetëm një pjesë të prodhimit (në vendet me marrëdhënie feudale në prodhim; në të kaluarën edhe në Shqipëri). Familje çifçinjsh. Fshatarët çifçinj. Lufta e çifçinjve. Punonte tokën me çifçinj.

ÇIFLIG

1. Pronë tokë e trashëgueshme e feudalëve ose e çifligarëve, që punohet nga bujqit (në vendet me marrëdhënie feudale në prodhim; në të kaluarën edhe në Shqipëri). Çiflig i madh. Pronari i çifligut. Sistemi i çifligjeve. Të ardhurat nga çifligu. Shkatërrimi i çifligjeve. Vinin çifligje. I linin çifligjet trashëgim. I shpronësuam çifligjet.

2. Shtëpia e një çifligari në fshat, së bashku me ndërtesat e tjera dhe me tokat përreth. Banon në çiflig. Shkonin verën në çiflig.

ÇIRAK

1. Djalë që punonte si ndihmës te një zejtar për disa vjet pa shpërblim për të fituar mjeshtërinë. Çiraku i armëtarit (i këpucarit). Hynin çirakë. E futi çirak.

2. Djalë i vogël që bënte punë ndihmëse për mjeshtrin a për të zotin e dyqanit.

ÇMESËTAR

1. Ai që çmonte dëmin e bërë, ai që caktonte vleftën që duhej paguar për një dëm të bërë. Çmesëtari i fshatit.

2. Ai që përcaktonte me afërsi prodhimin që do të jepte një arë e mbjellë, një pemë etj.; çmues.

Fjalor Historik

Comments
All comments.
Comments

  1. marigona

    i like to do

    1. rifadije

      Qka dmth fjala historik

      1. Hono Lulu

        Si emër,
        historiku është përmbledhja e ngjarjeve dhe
        i të dhënave që lidhen me zhvillimin e diçkaje.

        Si mbiemër:
        1. historik është diçka që i takon historisë,
        2. është diçka që është e vërtetë,
        3. është diçka e rëndësishtme që ja vlen të mbahet mend