Fjalori i Historise – Fjalor Historik

Fjalor Historik

HARAÇ
HARAÇ

1. Detyrim a taksë që i jepte ose i paguante një shtet një shteti tjetër kur mundej prej tij a kur pranonte t’i nënshtrohej atij.

2. Taksë e veçantë që jepte në të holla ose në natyrë popullsia jomyslimane gjatë kohës së pushtimit feudal ushtarak osman. Haraç për kokë. Haraç për tokën. Paguanin haraçin.

HARAÇPAGUES

Që i paguante haraç një shteti tjetër, kur mundej prej tij a kur pranonte t’i nënshtrohej atij. Vend (shtet) haraçpagues.

HARKËTAR

Luftëtari që qëllonte me hark, shigjetar.

HARKMBAJTËS

Harkëtar.

HEKUR

Koha (periudha) e hekurit. periudha historike rreth një mijë vjet para erës së re, kur nisi të punohej hekuri (pas periudhës së bronzit).

HESHTAR

Luftëtar i armatosur me heshtë, ai që luftonte me heshtë, heshtëmbajtës, shtizar. Heshtarët e Skënderbeut. Sulmi i heshtarëve.

HESHTËMBAJTËS

Heshtar, shtizar.

HOBE

1. Copë lëkure a diçka e thurur, me dy rripa të hollë ose me dy gjalma të lidhur në dy anët e saj, që përdoret për të gjuajtur me gurë të vegjël, duke e rrotulluar me forcë e duke lëshuar njërin rrip a njërin gjalmë. Hedh gurin me hobe. Gjuan zogj me hobe. E qëlloi me hobe.

2. Armë e vjetër që përdorej në luftë për të hedhur gurë. Hobe e madhe.

HOBETAR

Luftëtari që përdorte hobenë për të hedhur gurë.

HORDHI

1. Emri i njërit prej bashkimeve shtetërore që u krijuan pas copëtimit të shtetit mongol të Çengiskanit; emri i bashkimit shtetëror të fiseve endacake turke në mesjetën e hershme; ushtria e madhe barbare e këtyre shteteve. Hordhia e Artë. Hordhitë mongole. Hordhitë turke.

2. Ushtri e madhe e mizore e pushtuesit; bandë e egër gjakatare. Hordhitë osmane. Hordhitë fashiste (naziste). Hordhitë e armikut.

HUN

Popullsi endacake me prejardhje turanike, e cila u dynd në shekullin e katërt të erës sonë nga Azia në Evropë. Dyndja e hunëve.

ILEGALITET

Tërësia e organizatave që luftonin kundër pushtuesve të huaj dhe veglave të tyre në Shqipëri gjatë Luftës Nacionalçlirimtare duke punuar e vepruar në mënyrë konspirative (Partia Komuniste e Shqipërisë dhe organizatat e masave të udhëhequra prej saj). Njerëzit (luftëtarët, heronjtë) e ilegalitetit.

ILUMINIST

Përfaqësues i rrymës dhe i lëvizjes iluministe në Evropë në shekujt XVII-XVIII; pasues e përçues i ideve iluministe në Shqipëri në shekullin XIX në kohën e Rilindjes Kombëtare; pasues i iluminizmit, ndriçimtar. Idetë e iluministëve. Veprat e iluministëve. Iluministët francezë. Iluministët shqiptarë të shek. XIX.

ILUMINIST

Që ka të bëjë me iluminizmin ose me iluministët e shekujve XVII-XVIII në Evropë, i iluminizmit ose i iluministëve; që ka të bëjë me përhapjen dhe me vënien në jetë të ideve të iluminizmit në Shqipëri në shek. XIX. Rrymë iluministe. Ide (pikëpamje) iluministe. Filozof (mendimtar, ideolog, shkrimtar) iluminist.

INKUIZICION

Organizatë terroriste policore e gjyqësore e kishës katolike, e themeluar në shekullin XIII, që ndiqte, burgoste e zhdukte mizorisht njerëzit përparimtarë, të cilët me veprën e me punën e tyre, me shpikjet, me zbulimet e me studimet e tyre hidhnin poshtë dogmat fetare dhe dilnin kundër sundimit të kishës. Koha e inkuizicionit. Gjyqi i inkuizicionit. Zjarret (burgjet) e inkuizicionit. U dënua (u burgos, u dogj) nga inkuizicioni.

INKUIZITOR

Gjykatës i inkuizicionit. Pamje e egër prej inkuizitori. U gjykua (u dënua) nga inkuizitorët.

IRREDENTIST

Përkrahës i irredentizmit.

IRREDENTIZËM

Lëvizje politike e nacionalistëve italianë përpara dhe gjatë Luftës së Parë Botërore, që kërkonte t’i jepeshin Italisë tokat me popullsi italiane të pushtuara nga Austro-Hungaria.

IZRAELIT

Pjesëtar i fiseve të vjetra të hebrenjve; hebre.

JENIÇER

Ushtar këmbësor i trupave të zgjedhura osmane, që ishte marrë zakonisht nga të krishterët e vendeve të pushtuara prej Turqisë ose ishte zënë rob dhe që në vogëli ishte stërvitur e përgatitur për luftë. Komandanti (agai) i jeniçerëve. Sulmuan (u thyen) jeniçerët.

Fjalor Historik

Comments
All comments.
Comments

  1. marigona

    i like to do

    1. rifadije

      Qka dmth fjala historik

      1. Hono Lulu

        Si emër,
        historiku është përmbledhja e ngjarjeve dhe
        i të dhënave që lidhen me zhvillimin e diçkaje.

        Si mbiemër:
        1. historik është diçka që i takon historisë,
        2. është diçka që është e vërtetë,
        3. është diçka e rëndësishtme që ja vlen të mbahet mend