Fjalor Gjeografik
KANAL
Pjesë e ngushtë në det midis dy brigjeve të afërta. Kanali i Korfuzit. Kanali i Otrantos.
KARSTIK
Që përbëhet nga gurë gëlqerorë, me gropa e me shpella etj.; që përmban gëlqere. Zonë (pllajë) karstike. Gurë karstikë.
KEP
Breg shkëmbor që zgjatet në det, hundë toke në det. Kepi i Rodonit. Kepi i Gjelbër.
KODRINOR
Liqen kodrinor. liqen që është formuar në një zonë kodrinore nga grumbullimi i ujit në vende ku janë shembur tavanet e shpellave.
KONTINENT
Pjesë shumë e madhe e rruzullit tokësor, e rrethuar nga të gjitha anët ose pothuajse nga të gjitha anët me dete e oqeane; secila nga pjesët kryesore të steresë në rruzullin tokësor. Kontinenti më i vjetër. Kontinenti i Evropës (i Azisë, i Afrikës, i Australisë, i Amerikës, i Antarktidës).
KORE
Korja e tokës, shtresa e fortë në pjesën e sipërme të rruzullit tokësor.
KRATER
Gryka e vullkanit që vjen si hinkë, nga ku del e derdhet jashtë lava. Krater i madh. Krateri i vullkanit të shuar (të pashuar).