Fjalor Gjeografik
OQEAN
Hapësirë e madhe me ujë të kripur, që shtrihet ndërmjet kontinentesh. Oqeani Paqësor (i Qetë). Oqeani Indian. Oqeani i Ngrirë i Veriut. Fundi i oqeanit. Oqeani botëror (i përbotshëm) hidrosfera.
PARALEL
Secili nga rrathët e përfytyruar të lëmshit të Tokës, që shkojnë paralel me ekuatorin në të dy anët e tij deri te polet dhe që shërbejnë për të përcaktuar gjerësinë gjeografike. Paralelet dhe mesditësit. Në paralelin pesëdhjetë. Kaluan (kapërcyen) paralelin. Shqipëria është ndërmjet paraleleve 39 gradë e 38 minuta edhe 42 gradë e 39 minuta të gjerësisë veriore.
PELLG
1. Trevë që laget nga një lumë a nga degët e tij; tërësia e mëngëve të një lumi; sipërfaqe ku rrjedhin e ku mblidhen ujëra, burime etj. Pellg lumor.
2. Trevë e gjerë që përfshin një det pak a shumë të mbyllur dhe viset rreth tij. Pellgu i Egjeut (i Adriatikut, i Mesdheut).
3. Trevë e ulët fushore, e rrethuar prej malesh; ultësirë; rrafsh i gjerë, i rrethuar me male. Pellgu i Shkodrës. Pellgu i Korçës.
PERËNDIMOR
Që gjendet në perëndim, që është në atë anë a në atë drejtim nga perëndon dielli; i perëndimit. Pjesa (ana) perëndimore. Gjysmërruzulli perëndimor. Gjatësia gjeografike perëndimore. largësia e një vendi nga meridiani i parë (nga meridiani i Grinuiçit) në drejtim të perënditnit, që matet me gradë.
PIKË
Drejtim, anë. Pikat e horizontit. Katër pikat kryesore të drejtimit.
PLLAJË
Vend pak a shumë i rrafshët, që ngrihet butë mbi pesëqind metra; rrafshinë në një vend të lartë; rrafshnaltë. Pllajë e lartë rrafshnaltë. Pllajë e zhveshur. Pllajë me grurë. Pllajë me borë. Në male e pllaja.
POL
Secili nga dy skajet e boshtit të përfytyruar të Tokës, që mendohen si pika të palëvizshme gjatë rrotullimit të rruzullit rreth vetes; vendi a zona rreth këtyre pikave. Poli Verior (i Veriut). Poli Jugor (i Jugut).
Pol gjeografik vendi ku bashkohen meridianët. Pol magnetik pikë afër Polit të Veriut ose të Jugut, drejt së cilës kthehet gjilpëra e busullës.
POZITË
Vendi a pika në rruzullin tokësor ku shtrihet një shtet, një krahinë etj. Pozitë strategjike. Pozita gjeografike e Shqipërisë.
Fjalor Gjeografik