Fjalor Fetar | Fjalori i Feve

Fjalor Fetar

MALLKOJ
E quaj diçka jashtë udhës së fesë, e quaj punë të djallit dhe i jap dënimin e perëndisë; e shkishëroj.

MANASTIR
Institucion fetar, me prona e ndërtesa banimi rreth një kishe e zakonisht larg qytetit, ku jetojnë, sipas disa rregullash të caktuara, murgj a murgesha; kuvend.

MATEM
Agjërimi i bektashinjve që zgjat dhjetë ditë

MBLAT
I vë mblatësin meshës.

MBLATË
Kulaç i grunjtë, i gatuar me brumë të ardhur dhe i shënuar me mblatës, që e bënin besimtarët ortodoksë në raste festash fetare ose përshpirtjesh; meshë.

MBLATËS
Vulë e madhe prej druri, e gdhendur me kryqe e me figura të tjera fetare, me të cilën besimtarët ortodoksë shënonin meshën përsipër.

MBRETËRIA E QIELLIT
Parajsa.

MEDRESE
Shkollë e mesme ose e lartë për të përgatitur hoxhallarë e myderrizë.

MEKAM
Varri i një shenjtori mysliman, zakonisht brenda në një tyrbe.

MESHAR
Libri i lutjeve fetare dhe i meshës.

MESHË
1. Ceremoni fetare që zhvillohet në kishë në ditë të caktuara.
2. Kulaç i mblatur me miell të mirë, që çojnë besimtarët në kishë; mblatë.

MESHOJ
Bëj ceremoninë e meshës; mbaj meshën në kishë.

MESHTAR
Prift a rregulltar i besimit katolik që ka të drejtë të thotë meshë.

MESHTARI
Puna që bën meshtari, detyra e meshtarit në kishën katolike

METANI
Gjunjëzimi para një shenjtori për t’i kërkuar falje për një mëkat; pendim.

MEVLUD
Festë fetare e myslimanëve në përvjetorin e lindjes së Muhametit; historia e lindjes së Muhametit, e cila, e këndohet në xhami.

MËKAT
Shkelje e rregullave dhe e porosive fetare, veprim kundër dogmës dhe rregullave të fesë e të kishës.

MËKATAR
Ai që ka bërë mëkat a që bën gjithnjë mëkate.

MËKATOJ
Shkel rregullat e porositë fetare, veproj kundër dogmës fetare e kundër rregullave të kishës, bëj mëkat, bie në mëkat.

MËKATSHËM I
Që të shpie drejt një mëkati a faji, të nxit për të rënë në mëkat; që është mëkat.

MËNJILLE
1. Agjërimi që bënin besimtarët katolikë në disa ditë të veçanta;
2. Tërësia e këtyre ditëve brenda një viti.

MËSHIRËMADHI
Zoti

MIRO
Vaji i shenjtë, me të cilin prifti miros besimtarët e krishterë, vaj i bekuar

MIROS
Lyej me vaj të bekuar një besimtar të krishterë, zakonisht në ballë, duke i bërë shenjën e kryqit, lyej me miro, vajoj

MIROSJE
Ceremonia e lyerjes së besimtarëve me miro nga prifti.

MISION
Grup priftërinjsh të krishterë etj. që dërgohen nga qendra në vende të ndryshme (sidomos në vende me popullsi jo të krishterë) për të përhapur dogmën fetare.

MISIONAR
Pjesëtar i një misioni fetar

MISTER
Rit fetar i fshehtë, për nder të një perëndie, duke marrë pjesë vetëm priftërinjtë; ceremoni fetare e mbyllur.

MITROPOLI
Qendra kishtare e një zone ku shtrihet pushteti fetar i peshkopit ortodoks.

MITROPOLIT
Peshkop ortodoks, që ushtron pushtetin fetar në një mitropoli; titulli më i lartë i peshkopit në kishën ortodokse; titullari i mitropolisë

MOROZE
Gruaja e katërt, që martohej pa kurorë me një të krishterë.

MONOTEIST
Ai që beson vetëm një perëndi; ai që beson se krijues i botës është vetëm një zot; ithtar i monoteizmit.

MONOTEIZËM
Besimi në një perëndi të vetme; fe a dogmë fetare që predikon se krijuesi i botës është një zot i vetëm;

MORTAR
Mortor. Mëkat mortar, mëkat që, sipas dogmës së fesë katolike, sjell dënimin e përjetshëm të shpirtit.

MUHAMEDAN
Mysliman.

MUHAMEDANIZËM
Myslimanizëm.

MUNGADE
Kuvend murgjish.

MULLA
Titull që i jepej atij që ndiqte mësimet në medrese ose një shërbyesi të thjeshtë në kultin mysliman; hoxhë me shkollë.

MURG
Anëtar i një urdhri fetar, që rri në një manastir e bën një jetë prej asketi.

MURGE
Murgeshë.

MYEZIN
Hoxhë ose një tjetër i ngarkuar prej tij, që këndon në minare.

MYFTI
Klerik i lartë mysliman që drejton punët fetare të një vendi, të një krahine, të një qarku etj.; ai që vendos në një çështje gjyqësore a ligjore duke u mbështetur në kuran e në sheriat

MYHIB
Ai që merr dorë te një baba a te një sheh dhe pranohet në bashkësinë e tij fetare.

MYSLIMAN
Ai që beson në fenë myslimane, ithtar i myslimanizmit

MYSLIMANIZËM
Fe që sipas që është krijuar në shekullin VII nga Muhameti dhe që përhap e mbron dogmat e kuranit, islamizmi; botëkuptimi që mbështetet te kjo fe.

Fjalor Fetar

Comments
All comments.
Comments

  1. Anonymous

    Edhe fjalorin fetar kishim manget ne.

    1. Anonymous

      Po ce o, e di ti se cfare eshte psh famulli
      ta them une qe nuk e di,
      ja vejn ketu dhe e gjen. po ky o.

    2. Anonymous

      Jo more e dike ti se cfare eshte famullia dhe nuk e dikam une
      une nuk dija psh cdo te thoshte grigjë ore dhe ndonje fjale tjeter te cuditshme pa famullise i bej zbor une. 😛

  2. etleva

    cfare do te thote fjalla Famulli

    1. Hono Lulu

      Zona ne te cilen ka juridiksion (ku vepron) nje kishe.