Fjalori i Gjuhësisë
IDIOMË
Shprehje me ndërtim të veçantë, tërësisht a pjesërisht të
ngurosur, që përdoret në një gjuhë prej kohësh me kuptim të
njësishëm (i cili nuk del drejtpërdrejt nga shuma e kuptimeve të
fjalëve përbërëse) dhe që nuk mund të përkthehet fjalë për fjalë
në gjuhë të tjera; përngjitje frazeologjike; njësi frazeologjike (p.sh.
bëj pallë; i ra bretku; i bie më qafë; vret rëndë; e fjeti mendjen; rri
mbi gjemba; mori flakë; daulle e shpuar; dushk për gogla; fill e
për pe; sy ndër sy; pikë e gjak; për dhjamë qeni etj.); fjalë e
veçantë që përdoret në kuptim të figurshëm vetëm në një gjuhë e
që nuk mund të përkthehet drejtpërdrejt në gjuhë të tjera p.sh.
pikë në kuptimin «mes»: në pikë të verës (të dimrit, të natës…);
buzëdele, një bimë barishtore; gojëlidhuri, ujku etj.
INDOEVROPIAN
Që bën pjesë në familjen e madhe të disa gjuhëve të afërta, ku
përfshihen shqipja, indishtja, iranishtja, armenishtja, greqishtja,
latinishtja e gjuhët romane, gjuhët gjermanike, gjuhët sllave,
gjuhët baltike, kelte etj.; që ka të bëjë me këto gjuhë, që është
veçori e këtyre gjuhëve; që studion këto gjuhë. Gjuhët (e gjalla,
e vdekura) indoevropiane. Shtresa indoevropiane e leksikut.
Sistemi fonetik indoevropian.
Familja e gjuhëve indoevropiane. Me prejardhje indoevropiane.
Gjuhësia indoevropiane.
INTONACION
Ndryshimi i zërit në melodi dhe në ritëm gjatë të folurit,
melodia dhe ritmi si organizues të fjalisë; mënyra e shqiptimit që
është karakteristike për një gjuhë. Intonacion pyetës (përmbyllës,
tregues). Intonacioni i fjalisë. Intonacion në gjuhën shqipe.