SHENJË
1. Shenja diakritike, viza të veçanta, pika etj. që duke iu bashkuar
një shkronje, tregojnë se ajo përfaqëson një tingull tjetër
(p.sh. dy pikat e shkronjës ë ose bishti i shkronjës ç).
2. Shenjat e pikësimit, shenja (pika, presja,
pikëpresja, dy pikat, pikëpyetja, pikëçuditja, thonjëzat, kllapat,
viza, etj.), që përdoren në shkrim për të ndarë fjalitë a pjesët e
një fjalie, për të shënuar ndalesa gjatë leximit dhe anë të tjera
të ligjërimit që nuk mund të jepen me anë të shkronjave.
SHËRBYES
Që nuk ka kuptim të pavarur leksikor dhe shërben për
të lidhur gjymtyrët e një fjalie ose fjalitë (për parafjalët e
lidhëzat) ose për të shprehur qëndrimin e ligjëruesit ndaj asaj
që thotë etj. (për pjesëzat). Fjalë shërbyese.
SHKAKOR
1. Që lidh një fjali të varur, e cila tregon shkak, me një fjali
drejtuese (për lidhëzat se, sepse, meqë, ngaqë, meqenëse,
duke qenë se, për arsye se etj.). Lidhëz shkakore.
2. Që lidhet me lidhëza të tilla dhe tregon shkakun e një
veprimi a të një gjendjeje (për fjalitë). Fjali shkakore
SHKALLË
Kategori gramatikore e mbiemrave cilësorë dhe e
disa ndajfoljeve, që tregon masën e shfaqjes së cilësisë a të
tiparit të shënuar prej tyre (në mënyrë të krahasuar ose jo të
krahasuar). Shkalla pohore (krahasore, sipërore). Shkallët e
krahasimit.
SHKUAR
Koha e shkuar e foljeve. Trajtat e së shkuarës.
kohë në të cilën folja tregon se veprimi
ose gjendja e shprehur prej saj është kryer para çastit të
ligjërimit ose para një çasti të caktuar të së shkuarës.
SHKURTESË
Fjalë e formuar nga bashkimi i rrokjeve, i tingujve a i
shkronjave të para të një togu fjalësh.
SHKURTËR
Që zgjat pak kur shqiptohet, që e ka gjatësinë më të
vogël se gjatësia mesatare. Zanore e shkurtër. Rrokje e shkurtër.
SHKURTIM
Paraqitja e një fjale a e një grupi fjalësh në trajtë të
shkurtuar, që bëhet për ta shkruar atë më shpejt dhe në më
pak vend (p.sh. km «kilometër», d.m.th. «domethënë», p.sh.
«për shembull», etj. «e të tjera»). Pasqyra e shkurtimeve.
Përdorimi i shkurtimeve.
SHPËRNGJASHMIM
Kthimi i njërit prej dy tingujve të njëjtë ose të ngjashëm në një
tingull tjetër, i cili është më pak i ngjashëm me atë që mbetet i
pandryshuar; kund. përngjashmim. Shpërngjashmim i plotë (i pjesshëm).
SHPËRTHIM
Hapje e menjëhershme e pengesës së plotë që
formohet nga organet e të folurit në rrugën e kalimit të ajrit
gjatë shqiptimit të disa bashkëtingëlloreve. Faza e shpërthimit
të bashkëtingëllores.
SHPËRTHYES
Që shqiptohet me shpërthim. Bashkëtingëllore shpërthyese.
SHPINOR
Që shqiptohet duke u ngritur pjesa e përparme e
shpinës së gjuhës drejt dhëmbëve të sipërm. Bashkëtingëllore shpinore.
SHPJEGUES
Që ka për qëllim të shpjegojë diçka, që bëhet për të shpjeguar
a për të sqaruar diçka; që ka shpjegime, me shpjegime. Lexim
(mësim) shpjegues. Biseda shpjeguese. Fjalor shpjegues,
fjalor që i shpjegon fjalët e një gjuhe me fjalë të po asaj
gjuhe, fjalor me shpjegime në po atë gjuhë.
SHPREHJE
1. Grup fjalësh me një ndërtim të caktuar,
zakonisht të qëndrueshëm, që ka disa veçori dalluese
gramatikore, kuptimore e stilistike; njësi e frazeologjisë së
gjuhës; mënyrë të foluri. Shprehje e bukur (e goditur).
Shprehje e vjetër (e rrallë, e re). Shprehje popullore.
Shprehje e qëndrueshme (e ngurtësuar). Shprehje
proverbiale. Shprehje poetike (e figurshme, idiomatike,
dialektore, familjare, përbuzëse, tallëse, fyese). Shprehje e
rëndë (e ashpër, e fortë, diplomatike). Shprehje e
thjeshtligjërimit (e gjuhës së gazetave, e gjuhës së fëmijëve).
Shprehje rrugësh (rrugaçësh). Shprehje pa kuptim frazë e
zbrazët, boshe. Më falni për shprehjen!
2. Grup fjalësh që nga ana gramatikore e leksikore
është i barasvlershëm me një fjalë të vetme dhe që ka në
përbërjen e tij të paktën një fjalë shënuese; lokucion.
Shprehje ndajfoljore (parafjalore, lidhëzore). Shprehje
ndajshtimore.
SHQIPTIM
Mënyra si shqiptohen tingujt e një gjuhe; mënyra e
veçantë se si shqiptohen tingujt e gjuhës në një stil të caktuar
të saj ose në një dialekt; mënyra si shqiptohen fjalët e
shkruara të një gjuhe; tingujt që u përgjigjen shkronjave të një
gjuhe. Shqiptim i qartë (i drejtë, i përpiktë). Shqiptim letrar
(dialektor, bisedor). Stilet e shqiptimit. Shkronjat dhe
shqiptimi i tyre. Shqiptimi i fjalëve shënohet në kllapa
katrore. Shkrimi dhe shqiptimi nuk përputhen.
SHQIPTIMOR
Që ka të bëjë me shqiptimin. Veçori (norma) shqiptimore. Ana
shqiptimore.
SHQUAJ
E vë një emër të pashquar në trajtën e shquar.
SHQUAR
Që është në trajtën morfologjike e cila e shënon
sendin a frymorin si të përcaktuar, si të dalluar nga klasa e
sendeve a e frymorëve të të njëjtit lloj ose si të njohur për
dëgjuesin (për emrat);
SHQUARJE
Veprimi sipas kuptimeve të foljeve SHQUAJ, SHQUHEM.
Shquarja e emrave.
SHQUARSI
Kategori gramatikore, e cila tregon se sendi a frymori
që shënohet prej emrit, mendohet si i përcaktuar, dallohet nga
klasa e sendeve a e frymorëve të të njëjtit lloj ose mendohet si
i njohur për dëgjuesin
SHQUES
Që shërben për të formuar trajtën e shquar. Nyja
shquese. Mbaresë shquese.
SHQUHEM
Vihet në trajtën e shquar. Emrat
shquhen duke marrë mbaresat shquese.
SHTESOR
Numëror shtesor: numëror themelor i përngjitur a i pathjeshtë,
kuptimi tërësor i të cilit del nga mbledhja e numërorëve të
thjeshtë që e përbëjnë (p.sh. njëmbëdhjetë = një + dhjetë,
dymbëdhjetë, trembëdhjetë etj.; njëzet e një = njëzet + një,
njëzet e dy, njëzet e tre etj.).
SHTJELLUAR
Që ndryshon sipas vetës a numrit (për format e foljes); kund. i
pashtjelluar. Forma të shtjelluara të foljes.
SHTRESË
Grup fjalësh në përbërjen e fjalorit të një gjuhe a të
disa gjuhëve, që kanë veçori të përbashkëta stilistike,
prejardhje të njëjtë etj. Shtresë leksikore (stilistike). Shtresa
indoevropiane.
SHUMËFJALËSH
Që përbëhet prej shumë fjalësh. Emërtim shumëfjalësh. Njësi
sintaksore shumëfjalëshe.
SHUMËGJYMTYRËSH
Që përbëhet prej shumë gjymtyrësh.
SHUMËKUPTIMËSI
Të qenët i shumëkuptimshëm, vetia e fjalëve ose e shprehjeve
që kanë dy a më shumë kuptime; vetë dukuria e tillë
gjuhësore; polisemi. Shumëkuptimësia e fjalëve.
SHUMËKUPTIMSHËM
Që ka shumë kuptime, polisemik. Fjalë e shumëkuptimshme.
SHUMËPIKËSH
Shenjë pikësimi e përbërë prej tri pikash të njëpasnjëshme, që
shërben për të treguar zakonisht se një mendim nuk shprehet
plotësisht a se ligjërimi ndërpritet për arsye të ndryshme ose
për të treguar se diçka është lënë jashtë tekstit; pikat e
pezullimit. Përdormi i shumëpikëshit.
SHUMËRROKËSH
Që përbëhet nga shumë rrokje, që ka shumë rrokje. Fjalë
shumërrokëshe.
SHUMËS
1. Numri shumës: formë e kategorisë gramatikore të numrit, që
tregon se është fjala për dy a më shumë frymorë, sende a
dukuri ose që veprimi, gjendja a tipari cilësor ka të bëjë me dy
a më shumë frymorë, sende a dukuri; tërësia e trajtave
gramatikore të këtij numri. Emër (mbiemër, përemër) në
numrin shumës. Veta e parë (e dytë, e tretë) e numrit
shumës. Zgjedhoj foljen në numrin shumës.
Shumësi i shquar (i pashquar). Shumësi i emrave.
Shumës mirësjelljeje. Mbaresat e shumësit. Flet në shumës.
SHUMËZOR
Numëror shumëzor: numëror themelor i përbërë a i pathjeshtë,
kuptimi tërësor i të cilit del nga shumëzimi i numërorëve të
thjeshtë që e përbëjnë (p.sh. pesëdhjetë = pesë herë dhjetë,
gjashtëdhjetë etj., dyqind dy herë njëqind, treqind etj., dy mijë,
tri mijë etj.).
SHURDHËT
Që shqiptohet pa pjesëmarrjen e zërit, që nuk ka zë;
kund. i zëshëm. Tingull i shurdhët. Bashkëtingëllore e
shurdhët.
SHURDHIM
Dukuri fonetike kur një bashkëtingëllore e zëshme
shndërrohet në bashkëtingëlloren e shurdhët përgjegjëse
(p.sh. b shndërrohet në p, g në k etj.). Shurdhimi i
bashkëtingëlloreve.
SHURDHOHET
Shndërrohet në bashkëtingëlloren e
shurdhët përgjegjëse (për një bashkëtingëllore të zëshme).