VARUR
Që ka varësi gramatikore nga një gjymtyrë tjetër; i
nënrenditur. Gjymtyrë e varur. Fjali e varur fjali e nënrenditur.
VEÇIM
Vënia në dukje e një gjymtyre të fjalisë (dhe e fjalëve
të varura prej saj) ose e një ndërtimi sintaksor me anë të
pauzave, të intonacionit dhe të theksimit, duke i dhënë një
farë mëvetësie sintaksore.
VEÇUAR
Që vihet në dukje me anë të veçimit. Gjymtyrë e
veçuar. Përcaktor i veçuar. Pjesore e veçuar. Rrethanor i veçuar.
VEÇUES
Që lidh dy fjali të bashkërenditura a dy gjymtyrë fjalie,
të cilat nga përmbajtja përjashtojnë njëra-tjetrën ose
këmbehen njëra me tjetrën (për lidhëzat a, apo, o, ose,
daç…daç, ja… ja, qoftë… qoftë etj.); që lidhet me lidhëza të
tilla dhe nga përmbajtja përjashton fjalinë, me të cilën
bashkërenditet ose këmbehet me të (për fjalitë); që shërben
për të veçuar një fjalë, një togfjalësh a një fjali ose për të
theksuar më shumë kuptimin e tyre; përforcues (për pjesëzat
vetëm, veç, sidomos etj.) Lidhëz veçuese. Fjali e
bashkërenditur veçuese (p.sh. Të ngrihemi / Të dëftojmë /
Trimëri; / Ja të vdesim, ja të rrojmë / Për liri! A dëgjon gjë ti
apo më bëjnë mua veshët?). Pjesëz veçuese. (p.sh. Vetëm
Agimi kishte ardhur. Në muajt e verës sidomos në korrik e në
gusht bën shumë vapë).
VENDKËMBIM
Ndërrim vendi i dy tingujve a i dy rrokjeve brenda së njëjtës
fjalë, metatezë (p.sh. thkej për kthej, pështoj për shpëtoj etj.).
Dukuria e vendkëmbimit.
VEPROR
1. Që shpreh një veprim, i cili kryhet nga kryefjala dhe bie mbi
dikë a mbi diçka. Folje veprore. Diateza veprore.
2. Diateza veprore.
VEPRUES
Plotësi i vepruesit, rrethanor, i cili tregon një njeri, një
kafshë a një send që kryen veprimin e shprehur nga folja në
diatezën pësore.
VETOR
Që shpreh kategorinë gramatikore të vetes, që tregon vetën.
Përemër vetor. Mbaresat vetore të foljes.
VETVETOR
Që tregon se veprimi i kryer nga dikush bie prapë mbi të; që
ka të bëjë me njeriun a me sendin veprues, i cili e kryen dhe e
pëson vetë një veprim. Folje vetvetore. Përemër vetvetor.
VETVETORE
Diateza vetvetore. Vetvetore e mirëfilltë. Vetvetorja në gjuhën
shqipe.
VIJIMËSI
Të qenët i vijueshëm, të qenët i pandërprerë; vazhdimësi.
Vijimësia kulturore (gjuhësore). Aspekti i vijimësisë,
aspekt që tregon se veprimi rrjedh dhe shtjellohet në kohën
për të cilën flasim. Siguron vijimësinë.
VIZË
Vizë lidhëse, vizë e shkurtër që shërben për të lidhur dy
pjesë të një fjale.
Vizë ndarëse, vizë e shkurtër që shërben për të ndarë fjalën
në fund të rreshtit.
Viza e dialogut. Heq një vizë. Shkruhet me vizë në mes.
VULGAR
1. Që sillet në mënyrë të pahijshme e të pakulturuar; që
është karakteristik për një njeri të trashë në të folur e në
sjellje; që ka përmbajtje të rëndë, që nuk duhet bërë a nuk
duhet thënë, i ulët. Njeri vulgar. Qëndrim vulgar. Sjellje
vulgare. Fjalë (shprehje) vulgare.
2. Që flitet nga populli i thjeshtë, popullor. Latinishtja
vulgare latinishtja e folur nga populli përkundrejt latinishtes
klasike që përdoret nëpër shkrime, gjuha latine popullore.